Gazeta Si – UEFA ka vendosur ta përjashtojë Juventusin për një sezon nga kupat europiane për çështjen e plusvalencave. Klubi italian nuk do të marrë pjesë kështu në Ligën e Koferencës 2023-2024. Po ashtu, Juventusi është gjobitur me 20 milionë euro, 10 nga të cilat me kusht.
Vendin e skuadërs së Alegrit në Ligën e Konferencës do ta marrë Fiorentina, finaliste e sezonit të fundit. Në Torino prej javësh po përgatiteshin për këtë dënim, e dinin se do të ishin jashtë Europe. Vendim i pritur me qetësi, duke ditur që nga pikëpamja ekonomike nuk është ndonjë humbje e madhe.
Nga pikëpamja sportive duket se merr fund çështja e plusvalencave dhe pagave, që ka kushtëzuar sezonin e kaluar të Juventusit. Skuadra bardhezi do të përqendrohet kështu te kampionati dhe Kupa e Italisë, duke tentuar të ndërpresë serinë 2-vjeçare pa trofe.

‘Gjatë sezonit 2022/23, dhoma e parë e CFCB, e kryesuar nga Sunil Gulati, hapi hetime për Juventusin dhe Çelsin, për shkelje të mundshme të rregullores së ‘UEFA Club Licensing e Financial Fair Play’. Dhe është arritur në konkluzionin se Juventusi ka shkelur kuadrin normativ të UEFA-s, ka shkelur akordin e firmosur në gusht 2022.
Për pasojë, është vendosur që të përjashtohet Juventusi nga kompeticionet e UEFA-s për klube, sezoni 2023/24. Këtij klubi i është vendosur edhe një gjobë 20 milionë euro. Nga këto, 10 janë me kusht dhe do të aplikohen vetëm nëse bilancet vjetore financiare të 2023, 2024 dhe 2025 nuk do të jenë konform rregullave”, – shkruhet në komunikatën e UEFA-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




