Futboll

UEFA mbledh KE në Tiranë – Kryeministri Rama e ‘çertifikon’

Nga Gazeta Si – UEFA mbylli ditët shqiptare me një vizitë në selinë e Kryeministrisë ku u prit nga Kryeministri, z. Edi Rama.

Presidenti Čeferin , Presidenti Duka dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit mes UEFA-s, FSHF-së dhe institucioneve shqiptare për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në vend.

Nga ana e tij, Presidenti Čeferin vlerësoi mikpritjen e FSHF-së dhe institucioneve shqiptare në organizimin e këtij eventi kaq historik për vendin tonë.

Më herët Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s zhvilloi mbledhjen e radhës në kryeqytetin shqiptar.

Gjatë saj u morën disa vendime të rëndësishme për të ardhmen e futbollit europian. Nën drejtimin e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s votoi stadiumin “Metropolitano” në Madrid si vendin pritës të finales së Ligës së Kampionëve për vitin 2027.

Stadiumi Kombëtar i Varshavës do të presë finalen e Ligës së Kampioneve për vajza në vitin 2027, ndërsa finalja e Superkupës së UEFA-s, do të luhet në Salzburg.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në Tiranë

Finalja e Ligës së Kampionëve në futsall për vitin 2026 do të luhet në Pezaro të Italisë. Finalja e EURO U-19 në futsall do të luhet në Astana, Kazakistan.

Ndërsa Finalja e Europianit të futsallit për vajza në vitin 2027 do të luhet në Osijek, Kroaci. Gjithashtu u morën disa vendime të tjera si më poshtë:

  • Bonuset për Finalet e Ligës së Kombeve të UEFA-s për vajza 2025
    Vendi i katërt: 150.000 euro (15% rritje)
    Vendi i tretë: 200,000 (20% rritje)
    Vendi i dytë: 250,000 euro (25% rritje)
    Vendi i parë: 400.000 euro (40% rritje)

Në total janë 1,000,000 € që do të shpërndahen, bazuar në renditjen e ekipeve në Finalet e Ligës së Kombeve të UEFA-s për vajza.

Gjithashtu u diskutua për kërkesat e RFEF (Federata Spanjolle e Futbollit) dhe FIGC (Federata Italiane e Futbollit) që duan të zhvillojnë ndeshje të kampionateve përkatëse jashtë Evropës.

KE shprehu dëshirën për të siguruar mendimin e të gjithë aktorëve përpara se të merret një vendim përfundimtar.

Në fund edhe ndryshimi në rregulloret e kompeticioneve të klubeve të UEFA-s për djem në sezonin 2025/26, për të lejuar zëvendësimin e përkohshëm të maksimumi një lojtari në fushë që pëson dëmtim ose sëmundje afatgjatë, gjatë fazës së ligës, deri në javën e gjashtë të ndeshjeve.

Kjo bëhet për të garantuar që listat e skuadrave të mos reduktohen në mënyrë të padrejtë dhe që lojtarët të mbrohen nga ngarkesa shtesë.

Nga e majta: Luis Figo (Portugali), Presidenti Duka (FSHF), Kryeministri Rama, Presidenti Ceferin (UEFA), Presidenti Gravina (Itali) dhe Presidenti Watzke (DFB)

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë