Futboll

UEFA kërkon fushë me 5 yje për finalen e 25 majit në stadiumin ‘Air Albania’

Gazeta Si – Tri javë na ndajnë nga finalja e Ligës së Konferencës, që do të zhvillohet në “Air Albania” më 25 maj. Për herë të parë në histori, për një ditë të vetme Tirana dhe Shqipëria do të jenë epiqendra e futbollit europian, pasi do të presin aktin final të kompeticionit më të ri për klube.

Dhe kuptohet që kërkesat janë të larta nga ana e UEFA-s, si për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, por edhe për kushtet e stadiumit. FSHF është gjithë kohën në dispozicion të UEFA-s, më qëllimin që organizimi i kësaj finaleje të jetë perfekt.

Në “Air Albania” janë bërë ndryshime gjatë kësaj kohe, ndërsa duhet edhe “një fushë me 5 yje”, sipas kërkesave të qeverisë së futbollit europian. Për momentin, sipas FSHF-së, kësaj fushe i mungon vetëm një gjysmë ylli. Kejdi Tomori, drejtori i shërbimeve dhe administrimit të qendrave sportive në FSHF, në lidhje me këtë çështje është shprehur kështu për ‘fshf.org’:

“Në fushë po bëhen punime intensive, pasi ka qenë një nga pikat e dobëta që në ndërtimin e stadiumit. Më pas u pa mundësia për të vendosur një tapet hibrid, siç e ka pjesa më e madhe e stadiumeve në botë, një tapet i parametrave të fundit, ku me ndihmën e llampave dhe ventilatorëve, shkon në gjendje optimale.

Kur u mor në dorëzim nga UEFA para 2 muajsh, fusha ishte në kategorinë 1 yll e gjysmë (sipas kategorizimit nga 1-5 yje) ndërsa tani fusha është 4 yje e gjysmë. Për finalen do të kemi 100% një fushë me 5 yje, si fushat e tjera ku luhen finalet e UEFA-s.

Kishim një mungesë të theksuar të barit natyral, ku mbizotëronte bari artificial, ndërsa sot po bëjmë punime për të rralluar barin e fushës, sepse dendësia ka shkuar më tepër sesa duhet dhe po kthehet në parametrat që duhet të jetë ditën e ndeshjes. Fusha do jetë perfekte më 25 maj, e denjë për një finale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë