Futboll

UEFA kërcënoi Juventusin për Superligën! Spanjollët e ndjekin çështjen në gjykatë

Gazeta Si – Pas hapit prapa të Juventusit në lidhje me Superligën, nga Spanja vijnë lajme të reja, që rrisin tensionin, duke i hedhur benzinë zjarrit. Sipas ‘As’, letra e Juves për Barcelonën dhe Realin për braktisjen e mundshme të projektit erdhi pas presioneve të forta të UEFA-s.

“Superliga dhe A22 do t’i drejtohen gjykatës për atë që e quajmë abuzim ndaj njërit prej pjesëtarëve tanë, Juventusit, që UEFA e ka urdhëruar të flasë për tërheqje nga projekti. Është një kërcënim, – shkruan e përditshmja iberike, duke cituar burime pranë A22 Sports Management. – Ka prova të forta, që do të paraqiten para Gjykatës së Madridit dhe Trupës së drejtësisë së BE-së”.

Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s. Gazeta Si, 7 qershor 2023

Jo vetëm kaq. Pavarësisht përgënjeshtrimit të Juventusit në komunikatën zyrtare, ku thuhet se nuk kishte presion nga UEFA, i njëjti burim i A22, kompania që promovon Superligën, i onsideron ‘të papranueshme’ presionet ndaj klubit italian, duke saktësuar se bardhezinjtë rrezikonin të përjashtoheshin 3 vjet nga kompeticionet europiane, nëse nuk deklaronin tërheqjen nga Superliga.

Një akuzë e rëndë ndaj UEFA-s, që do të shkojë në gjykatë pas padisë së klubeve themeluese. “Superliga dhe A22 besojnë se Trupa e drejtësisë së BE-së, institucion që meriton respekt maksimal, ta zgjidhë procedimin aktual, që skuadrat europiane dhe futbolli në tërësi të punojnë të qetë”, – shkruan më tej ‘As’, duke sqaruar pozicionin e klubeve themeluese, që kanë paralajmëruar beteja të reja ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë