Gazeta Si – Probleme që në fillim të sezonit për Tiranën. Klubi kryeqytetas sot ka marrë dy lajme të këqija, që kanë të bëjnë me financat: gjobën e UEFA-s dhe ultimatumin e FSHF-së për borxhet e vjetra.

Për incidentet e ndodhura gjatë gjatë ndeshjes me Beshiktashin në Ligën e Konferencës, Tirana është gjobitur me mbi 50 mijë euro, saktësisht 53750 euro. Në atë ndeshje të luajtur në “Air Albania” pati disa shkelje dhe për secilën prej tyre ka një gjobë më vete.
Përplasja e tifozërive para ndeshjes, futja e tifozëve në fushë, hedhja e sendeve dhe fishekzjarreve në fushë, si dhe bllokimi i kalimeve kanë bërë që UEFA të vendosë për këtë gjobë të majme ndaj klubit të Tiranës. Vetëm për hedhjen e fishekzjarreve gjoba ishte 18.750 euro.

Jo vetëm kaq. Tirana ka 30 ditë kohë për të shlyer detyrimet ndaj dy ish-futbollistëve të saj, Edon Hasanit dhe Asion Dajës. Ky është vendimi i marrë sot nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së. Shifra nuk është bërë e ditur, por bëhet fjalë për disa dhjetëra miliona lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




