Ndeshja e Champions League mes Ajax-it dhe Chelsea-t, ka kaluar në histori jo vetëm sepse përfundoi 4-4 me Blutë që ishin në disavantazh të tre golave. Skena që mbetet sigurisht e paharrueshme është ajo që i la holandezët me 9 lojtarë. Dy kartona të kuq për dy qendërmbrojtësit e Ajax-it, në të njëjtin aksion. Ai që i dha kartonët (katër në total) ka qenë Gianluca Rocchi, i cili në harkun e pak sekondave, fillimisht përjashtoi Blind, i ndëshkuar me të verdhë për një ndërhyrje të mëparshme, dhe më pas i ka dhënë të verdhin e dytë edhe Veltman-it, pas penalltisë së akorduar për një prekje të topit me dorë të lojtarit.
Polemikat kanë qenë të shumta pas ndeshjes, për shkak se ai barazim i kushtoi eliminimin Ajax-it. Dhe tani, siç raporton De Telegraaf, vetë UEFA në një mbledhje me arbitrat në Palma të Majorkës, ka konfirmuar gabimin e Rocchi-t. E përditshmja holandeze ka shpjeguar se për të kuqin e Blind nuk ka diskutime, por se arbitri italian duhej ta kishte ndërprerë lojën pas faullit të mbrojtësit për ta nxjerrë jashtë fushës, duke konsideruar se faulli ka ndodhur larg zonës së penalltisë dhe nuk ishin kushtet për të lejuar avantazhin. Ajax-i do ta kishte mbyllur ndeshjen me dhjetë lojtarë dhe nuk do të kishte patur një penallti kundër dhe për rrjedhojë nuk do të kishte marrë pezullimin e dytë. Domethënë, një gabim i arbitrit. Por jo vetëm. De Telegraaf sqaron se Rosetti, presidenti i komisionit të arbitrave të UEFA-s, ka thënë se në atë rast ju takonte edhe arbitrave të VAR-it të ndërhynin, për të anuluar vendimin e Rocchi-t.
Dëm i madh për holandezët, pasi kanë humbur rreth 12 milionë eurot e garantuara nga kualifikimi në fazën me eliminim direkt dhe nga shpërblimi për fitimin e ndeshjes. Tashmë ka filluar të flitet për një kërkesë për dëmshpërblim nga ana e Ajax-it. Sjaak Swart, futbollisti me më shumë ndeshje të luajtura në historinë Ajax, është dakord: “Më duket e drejtë të kërkohet një dëmshpërblim ekonomik”. Van der Saar, siç ka bërë të ditur The Sun, është i dorëzuar: “Na vjen keq që është konfirmuar ajo që dyshonim, që ishin gabime vendimtare”. Gjithsesi, në fund, 1/8-at e Champions-it do ti luajë skuadra e Lampard. Dhe përsa i përket parave, nuk mund të bëjmë asgjë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




