Nga Gazeta Si- Rreth një javë më parë, ajo që ra në sy në ndeshjet e raundit të katërt të Champions League, ishte, veç rezultateve surprizë sportive, edhe një parullë e madhe, në formën e koreografisë të një sektori në stadiumin e Parisit, në ndeshjen mes Paris SG dhe Atletico Madridit (1-2).
Para fillimit të ndeshjes PSG-Atlético, ultrasit e Virage Auteuil shpalosën një pankartë imponuese me mesazhin "Palestina e lirë", rreth ngjyrave kuqeblu të PSG-së, me një flamur palestinez të përgjakur, flamurin e Libanit, të Jeruzalemit, tanket dhe një person i veshur me një keffiyeh.
“Lufta në fushë, por paqe në botë”,- shkruhej. Një tjetër mesazh u shfaq më pas në mbrëmje: “A vlen jeta e një fëmije në Gaza, më pak se një tjetër?
Në një deklaratë të tij, klubi tha se "nuk ishte në dijeni të ndonjë plani për të shfaqur një mesazh të tillë" dhe ishte "në mënyrë të vendosur kundër çdo mesazhi politik në stadiumin e tij".
Si rrjedhojë pak ditë më vonë, Komisioni i Disiplinës dhe i Etikës së Qeverisë Europiane të futbollit bëri të ditur publikisht, se UEFA nuk do të ndërmarrë asnjë masë ndëshkimore ndaj Paris Saint-Germain për banderolën pro-palestineze, të shfaqur nga disa prej tifozëve të saj të mërkurën në mbrëmje, përpara ndeshjes së Champions League kundër Atletico Madridit.
Një vendim i pakuptimtë, edhe pse nuk është zbardhur ende arsyetimi i plotë, por sido që të jetë, një mesazh politik në stadium, për një ngjarje madhore dhe aktuale si lufta në Gaza, sigurisht që nuk është më e vogël se sa thirrjet e tifozëve “Kuq e Zi” në stadiumin tonë kombëtar apo edhe në Europian, për UÇK-në, apo për Kosovën.
Por ndryshe nga klubi parizien, Federata Shqiptare e Futbollit, vetëm këtë vit është ndëshkuar, me arsyetimin e “transmetimit të mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive”, me rreth 50 mijë euro.
● 10.000 euro për “transmetimin e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive”. 18 qershor 2024 ndeshja Itali-Shqipëri (2-1).
● 25.000 euro për për “transmetimin e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive”. 23 qershor 2024 ndeshja Shqipëri-Kroaci (2-2).
● 20.000 euro për “transmetimin e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive”. 2 nëntor 2024 ndeshja Gjeorgji-Shqipëri.
Ndërkohë, në total gjobat ndaj FSHF-së, për shkelje të kodit të disiplinës dhe etikës të tifozerisë shqiptare, duke i shtuar tymueset, hedhjen e sendeve në fushë, apo futjen e tifozit në fushë në ndeshjet e Europianit, e kalon shifrën e 200.000 eurove.
Gjithsesi për të mbetur tek mesazhi i parë, kur në rastin e Shqipërisë gjobat kanë mbërritur menjëherë, pas përfundimit të ndeshjeve, ndërsa për të njëjtën shkelje në rastin e PSG-s gjithçka kalon pa u ndëshkuar askush.
Nuk besojmë as ne dhe as UEFA, që FSHF është më e pasur se Nasser Al-Khelaifi, presidenti i Paris Saint Germain, një ndër njerëzit më të pasur të planetit, por fakti që Al Khelaifi është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe president i Shoqatës së Klubeve Europiane, në një rast të barabartë dhe me ndëshkime të ndryshme, të bën të ngresh disa pikëpyetje konspirative.
Një standard i dyfishtë që të kujton narrativën e famshme të Andon Zako Cajupi në filmin “Përrallë nga e kaluara”: Ligji është në dorën e Maliqit…!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.