Taksa

Udhëzimi/ Nëse keni taksa të papaguara, Tatimet mund t’ju bllokojnë makinën

Nga Gazeta ‘SI’-  Një marrëveshje e drejtorisë së Shërbimeve Rrugore dhe Tatime i jep fuqi kësaj të fundit të sekuestrojë mjetet e qytetarëve me detyrime tatimore të papaguara.

Tatimet mund të bllokojnë mjetin e çdo individi dhe biznesi që ka çfarëdolloj borxhesh ndaj administratës. Marrëveshja i jep Administratës Tatimore akses të menjëhershëm në informacionin mbi mjetet e regjistruara, që do të mundësojë monitorimin e të dhënave në kohë reale, me qëllim mbledhjen e borxheve tatimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor sqaron se risia e marrëveshjes është aksesi në kohë reale në sistem për të dhënat e mjeteve që disponojnë tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore të papaguara. Edhe para nënshkrimit të marrëveshjes administrata tatimore kishte të drejtën e vendosjes së titullit ekzekutiv për mjetet e debitorëve, por të dhënat mes dy institucioneve tatimeve dhe Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor kryheshin nëpërmjet shkresave.

 “Administrata Tatimore ka përfunduar nënshkrimin e marrëveshjes me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nga ku është zbatuar kërkimi i të dhënave mbi mjetet e tatimpaguesve në kohë reale në sistemin tatimor. Të gjithë tatimpaguesit në zbatim të legjislacionit në fuqi duhet të përmbushin në afat të gjitha detyrimet tatimore, pasi në të kundërt Administrata Tatimore do të vendosë masa të sigurimit mbi mjetet dhe do të zbatojë të gjitha procedurat e mbledhjes me forcë”, thuhet në njoftim.

Çdo mjet që është në pronësi të një tatimpaguesi debitor (pra që ka detyrime të papaguara ndaj shtetit) mund të jetë subjekt i masave të sigurimit, si bllokim apo sekuestrim nga AT. Në raste të tilla sipas administratës tatimore transaksioni i shitjes mund të rezultojë i pavlefshëm.

“Kujdes! AT ju bën thirrje tatimpaguesve të përmbushin detyrimet tatimore në mënyrë vullnetare dhe të mos tjetërsojnë pasuritë e tyre për të shmangur këto detyrime! Çdo subjekt që hyn në transaksione shit-blerje të mjeteve, duhet të sigurohet që mjetet objekt transaksioni nuk i përkasin tatimpaguesve debitorë. Çdo akt i nënshkruar në keqbesim ndërmjet palëve me qëllim shmangien e detyrimeve ndaj Administratës Tatimore do të sjellë pasoja ligjore për pavlefshmëri”, thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë