Nga Gazeta Si- Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) lëshoi sot udhëzime të reja për të ndihmuar të gjitha vendet të reformojnë dhe forcojnë politikat dhe sistemet e shëndetit mendor. Shërbimet e shëndetit mendor në mbarë botën mbeten të pafinancuara, me boshllëqe të mëdha në akses dhe cilësi.
“Në disa vende, deri në 90% e njerëzve me probleme të rënda të shëndetit mendor nuk marrin fare kujdes, ndërsa shumë shërbime ekzistuese mbështeten në modele institucionale të vjetruara që nuk përmbushin standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, shkruhet në deklaratën e OBSH-së.
Udhëzimi ofron një kornizë të qartë për të transformuar shërbimet e shëndetit mendor në përputhje me provat më të fundit dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke tentuar që kujdesi cilësor të jetë i aksesueshëm për të gjithë.
“Me gjithë kërkesën në rritje, shërbimet cilësore të shëndetit mendor mbeten të paarritshme për shumë njerëz”, thotë Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.
“Ky udhëzim i ri u jep të gjitha qeverive mjetet për të promovuar dhe mbrojtur shëndetin mendor dhe për të ndërtuar sisteme që i shërbejnë të gjithëve.”
Një plan për transformimin e kujdesit të shëndetit mendor
Ndërkohë që ekzistojnë ndërhyrje efektive parandaluese dhe trajtimi, shumica e njerëzve që jetojnë me probleme të shëndetit mendor nuk kanë akses në këto. Udhëzimi i ri i OBSH-së përcakton veprime konkrete për të ndihmuar vendet të mbyllin këto boshllëqe dhe të garantojnë promovimin dhe mbrojtjen e shëndetit mendor, me fokus në:
-mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke siguruar që politikat dhe shërbimet e shëndetit mendor të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut;
-promovimi i kujdesit holistik me theks në stilin e jetës dhe shëndetin fizik, ndërhyrjet psikologjike, sociale dhe ekonomike;
-adresimi i faktorëve socialë dhe ekonomikë që formësojnë dhe ndikojnë në shëndetin mendor, duke përfshirë punësimin, strehimin dhe arsimin;
-zbatimin e strategjive parandaluese dhe promovimin e shëndetit mendor dhe mirëqenies në mbarë popullatën.
Udhëzuesi identifikon pesë fusha kyçe të politikave që kërkojnë reforma urgjente: udhëheqja dhe qeverisja, organizimi i shërbimeve, zhvillimi i fuqisë punëtore, ndërhyrjet me në qendër personin dhe adresimi i përcaktuesve socialë dhe strukturorë të shëndetit mendor.
Një qasje e përshtatur për forcimin e sistemeve të shëndetit mendor
Udhëzimi i OBSH-së shërben si një mjet kritik për qeveritë, politikëbërësit dhe palët e interesuara që punojnë për të forcuar sistemet e shëndetit mendor dhe për të përmirësuar aksesin në kujdesin e shëndetit mendor.
“Duke ofruar një menu me direktiva politikash, strategji dhe veprimesh për të udhëhequr përpjekjet për reforma, udhëzuesi mbështet politikëbërësit për të dhënë përparësi dhe përshtatur politikat në kontekstin e tyre specifik kombëtar, në përputhje me burimet e tyre të disponueshme dhe strukturat operacionale”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.