Politike

Udhëzimi i PD-së për bazën: Bashkoni strukturat paralele të partisë  

Objektivi i PD-së duhet te jete i qartë; bashkimi me strukturat e ngritura nga Lulzim Basha që në selinë blu konsiderohen si organe paralele.

Një udhëzim i Flamur Nokës shpërndarë degëve ka si qëllim të parë bashkimin e strukturave paralele brenda partisë. Ndërkohë të mërkurën në mbremjë PD-ja pritet të mbledhë kryesinë e partisë që i paraprin mbledhjes së Këshillit Kombëtar

Pikat e udhëzimit të lëshuara nga PD:

a) Institucionet dhe forumet drejtuese të Partisë Demokratike, veçanërisht strukturat e saj në qendër dhe në bazë, kanë përgjegjësinë e madhe të bashkimit në një front të vetëm opozitar, të çdo anëtari apo ish-anëtari të Partisë Demokratike, të çdo opozitari dhe kontributori në kauzën opozitare, të çdo fluksi dhe rrymë antiregjim, me synim të vetëm fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme;

b) Drejtuesit politikë dhe strukturat drejtuese të degëve të Partisë Demokratike marrin të gjitha masat organizative për të mundësuar një front sa më të gjerë opozitar. Demokratët duhet të kenë parasysh se në thelb të këtij bashkimi qëndron kontributi i të gjithëve, pa asnjë dallim, si kusht thelbësor për fitoren tonë të ardhshme;

c) Përveç organizimit strukturor në çdo qelizë të saj, strukturat drejtuese të çdo dege të identifikojnë çdo faktor publik opozitar, të cilët edhe pse nuk janë pjesë e strukturave ekzistuese të degës, me rolin dhe kontributin e tyre shoqëror dhe politik, janë vlerë e shtuar e Partisë Demokratike. Për këtë arsye, strukturat drejtuese identifikojnë, kontaktojnë dhe bëjnë çdo përpjekje për të afruar pas tyre çdo individ me reputacion publik dhe kontribut shoqëror, që me veprimtarinë e tij/saj ka dhënë prova të angazhimit qytetar opozitar

d) Veçanërisht në situatën pas kthimit të Flamurit dhe Simboleve të Partisë Demokratike në shtëpinë e përbashkët të demokratëve, nuk ka më asnjë pengesë që demokratët e angazhuar politikisht deri dje në struktura paralele, pavarësisht diferencës së opinioneve apo qëndrimeve për çështje të brendshme të familjes sonë demokrate, të inkorporohen në strukturat ekzistuese të degëve tona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë