Ian Woodroofe udhëtonte për biznes “ndoshta çdo javë” – shpesh jashtë shtetit – për më shumë se 20 vjet. Udhëtimet ishin gjithmonë të klasit të biznesit dhe ai kishte dy ose tre karta besnikërie për linjat ajrore dhe hotelet nga kompanitë ku ishte klient.
Por teksa koronavirusi u përhap me shpejtësi vitin e kaluar, Woodroofe ndaloi udhëtimet e punës. Ai është ekzekutiv i lartë në kompaninë amerikane të transportit dhe infrastrukturës së mbrojtjes Cubic, zyra e tij në San Diego u mbyll menjëherë dhe të gjitha udhëtimet u anuluan. “Unë nuk kam udhëtuar që nga marsi”, thotë ai.
Po ashtu edhe miliona udhëtarë të tjerë të klasit të biznesit, duke shpënë në një humbje prej 710 miliardë dollarësh në terma vjetorë të të ardhurave për industrinë. Tani shtrohet pyetja nëse ata udhëtarë do të kthehen pasi të mbarojë pandemia. Dhe, nëse nuk e bëjnë këtë, çfarë do të thotë kjo për një sektor i cili në mënyrë direkte dhe indirekte mbështet një në shtatë vende pune në të gjithë botën sipas Global Business Travel Association, subvencionon turizmin masiv dhe kishte të ardhura vjetore prej 1.4trilion dollarë në 2019-ën.
Cubic ia doli të mbërrijë objektivat e tij vjetorë vitin e kaluar falë një përdorimi të shëndetshëm të platformës video konferencë Zoom, e cila njoftoi në dhjetor një rritje prej 485 përqind në terma vjetorë të klientëve me më shumë se 10 punonjës. “Ju mund të bëni shumë biznes pa i takuar klientët fizikisht”, thotë Z. Woodroofe, duke shtuar se sapo të mbarojë pandemia, ai nuk planifikon të udhëtojë.
Pra, megjithëse shumë syresh në industrinë e udhëtimeve po parashikojnë një rikuperim të fuqishëm në udhëtimet për kënaqësi, turizëm kur kufijtë mund të hapen siç duhet dhe punëtorët do të bëjnë pushime për të udhëtuar jashtë shtetit, udhëtimet e biznesit, të cilat mund të gjenerojnë deri në 75 përqind të të ardhurave të linjave ajrore për disa fluturimet ndërkombëtare sipas PwC, përballen me një krizë të rëndë.
Bashkë me një fokus më të madh në qëndrueshmërinë dhe uljen e kostove post-pandemike në kompanitë që janë ngusht financiarisht, rritja e mbledhjeve virtuale, ka të ngjarë të ketë pasoja afatgjata, thonë drejtuesit e industrisë. Disa e kanë krahasuar bllokimin e udhëtimeve e korporatave me rënien e përshpejtuar të shitësve me pakicë në dyqanet fizike të cilët janë zëvendësuar nga klientët me rivalët e tyre në internet.
Shumë syresh në sektor pranojnë që një pjesë e udhëtimeve të biznesit do të humbasin. Por, me programet e vaksinimit që po zhvillohen në mbarë botën, ka pak marrëveshje për sa do të jetë ajo humbje ose sa do të zgjasë pasoja.
Bill Gates i tha CNBC në nëntor se “mbi 50 përqind e udhëtimeve të biznesit dhe mbi 30 përqind e ditëve në zyrë do të zhdukeshin” – një parashikim i hedhur poshtë nga Ed Bastian, shefi ekzekutiv i Delta Air Lines, i cili kundërshtoi deklaratën duke thënë se themeluesi i Microsoft nuk ishte i kualifikuar për të parashikuar të ardhmen e udhëtimeve të korporatave.
Megjithatë, edhe brenda industrisë së udhëtimeve, ekziston pasiguri se në cc’masë do të kthehen udhëtimet e biznesit.
Jeffrey Goh, shefi ekzekutiv i Star Alliance, grupi më i madh i linjave ajrore në botë, parashikon se do të ketë një “ndryshim strukturor sa i përket segmentit të udhëtimit të biznesit” që mund të tkurrë sektorin deri në 30 përqind. Megjithatë Carsten Spohr, shefi ekzekutiv i Lufthansa të Gjermanisë – një anëtar i Aleancës Star, këmbëngul që udhëtimet e biznesit do të kthehen shpejt. “Sa herë që flas me klientët e korporatave, ka një numër kaq të madh të nevojave për udhëtim,” -është shprehur ai sëfundmi.
“Ka një zonë gri dhe shumë të panjohura në lidhje me udhëtimet e biznesit”, thotë Martin Ferguson, nënkryetar i çështjeve publike në American Express Global Business Travel, një nga kompanitë më të mëdha në botë për menaxhimin e udhëtimeve. “Për momentin nuk mund të udhëtosh edhe nëse do të doje, nuk mundesh.
“Ajo që ne nuk dimë,” shton ai, “është se sa njerëz do të zgjedhin të mos [udhëtojnë] kur të munden.”
Veprime paraprake
Dyndja në udhëtimet ajrore gjatë viteve 1950 dhe 1960 shkaktoi një rritje eksponenciale të numrit të drejtuesve që shëtisnin globin. Ata e kanë mbështetur industrinë prej kohësh duke shpenzuar tarifa më të larta, çmime të rimbursueshme të biletave dhe dhoma hotelesh më të shtrenjta me hapësirë për punë dhe, së fundmi, pajisje Wi-Fi.
Një vend në hapësirën e biznesit ose klasi i parë është mesatarisht pesë herë më i shtrenjtë se një i tillë ekonomik, sipas grupit tregtar të linjave ajrore globale Iata, dhe linjat ajrore mbështeten në këto vende premium për 30 përqind të të ardhurave të tyre. Marriott, grupi më i madh i hotelerisë në botë, vlerëson se në vitin 2019 rreth 70 për qind e netëve të qëndrimit në hotel ishin rezervime të lidhura me biznesin.
Pandemia tashmë ka përshpejtuar zhdukjen e avionëve Boeing 747, joefikas në lidhje me konsumin e karburantit, të cilët janë vendosur për një numër të madh vendesh premium dhe janë tërhequr herët nga transportuesit e mëdhenj, përfshirë British Airways, ku ata do të fluturonin deri në mes të kësaj dekade. Disa kompani ajrore kanë vendosur gjithashtu Airbus A380 më të madh, i cili mund të jetë i pajisur me suita, dushe dhe bare për pasagjerët e klasit të parë dhe të biznesit – një përshpejtim i një tendence para-pandemike drejt avionëve më të vegjël, më të shpejtë.
E tillë është mbështetja e kompanive kryesore të udhëtimit te klientët e tyre të korporatave, thotë Dave Hilfman, drejtor i përkohshëm ekzekutiv i GBTA, se rënia e të ardhurave do të rrisë çmimet për klientët që udhëtojnë për qef, turizëm. “Një pjesë e madhe e modelit të biznesit [të industrisë së udhëtimit] sillet rreth udhëtimeve të korporatave dhe biznesit, dhe për shkak të aftësisë së tyre për të gjeneruar marzhe fitimi më të larta [në atë sektor] kjo u lejon atyre të shtrijnë mundësitë tek udhëtarët që shpenzojnë më pak,” thotë ai.
Megjithatë, rritja në udhëtimet e biznesit ishte ngadalësuar globalisht që më parë, sipas GBTA. Në Mbretërinë e Bashkuar, ekonomia e katërt më e madhe për sa i përket shpenzimeve të udhëtimeve të biznesit, të dhënat nga Zyra për Statistikat Kombëtare tregojnë se ndërsa udhëtimet ajrore ndërkombëtare për kohën e lirë, turizëm u rritën me 3.4 përqind në vit mes 2000 dhe 2019, udhëtimet ndërkombëtare të biznesit u rritën vetëm 0.2 përqind në vit.
Udhëtimet e korporatave gjithashtu panë rritje më të ngadaltë sesa rezervimet për festat pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe krizës financiare të vitit 2008 dhe vlerësimet e GBTA tregojnë se humbjet e shpenzimeve të udhëtimeve të biznesit do të jenë 10 herë më të mëdha se gjatë secilës prej këtyre dy krizave. Sipas një raporti nga konsulentët McKinsey, udhëtimit ndërkombëtar të biznesit nga SHBA iu deshën pesë vjet për t’u rikthyer plotësisht pas recesionit të vitit 2008, krahasuar me një rikuperim të udhëtimit të kohës së lirë brenda dy viteve.
Megjithatë, t’i referohesh udhëtimeve të biznesit si një “monolit është i rrezikshëm”, thotë Mark Hoplamazian, shefi ekzekutiv i Hyatt Hotels. “Segmente të ndryshme do të kenë ndikime të ndryshme.”
Në Kinë, ku udhëtimet e brendshme dhe rajonale kanë rifilluar në nivele të ndryshme, kompanitë industriale dhe prodhuese kanë qenë në krye të rikuperimit të udhëtimit të korporatave, ndërsa industritë e shërbimeve që janë më të lehta për tu operuar në distancë kanë qenë më të ngadalta.
Raporti i McKinsey parashikon që udhëtimet brenda ndërmarrjes për trajnim ose inspektime ka të ngjarë të “goditen” pasi korporatat kërkojnë të minimizojnë kostot dhe se konventat kryesore të biznesit, përfshirë industrinë e ekspozitave dhe shfaqjeve tregtare e cila u vlerësua me 81 miliardë dollarë në 2018, do të kthehen të fundit. Për herë të parë në historinë e saj, Consumer Electronics Show, konventa më e madhe tregtare në botë që zhvillohet normalisht në Las Vegas, u mbajt tërësisht në internet këtë javë.
Nevoja për koordinim
“Udhëtimet globale lulëzojnë në siguri, thjeshtësi dhe harmonizim”, thotë Robert Sinclair, shefi ekzekutiv i Aeroportit të Londrës. Por përpjekjet për të filluar një rimëkëmbje në sektorin e udhëtimeve janë penguar nga mungesa e koordinimit ndërkombëtar mbi normat që rregullojnë lëvizjen ndërkufitare të njerëzve përgjatë krizës.
Mbretëria e Bashkuar dhe Kanada bën teste masive për pasagjerët që udhëtojnë në janar, muaj më mbas pasi shumë vende të tjera futën masa të ngjashme. Përpjekjet për të filluar të ashtuquajturat “korridore udhëtimi” kanë ccaluar, me planet e bllokuara për kalimin e sigurt nga Covid në rrugën mjaft fitimprurëse Londër – New York dhe një përpjekje për të filluar një flluskë udhëtimi midis Singaporit dhe Hong Kong që u anuluan një ditë para se avionët do të niseshin në nëntor, pas një rritje të rasteve me koronavirus në territorin kinez.
Në treg janë hedhur disa pasaporta digjitale të shëndetit, duke premtuar të certifikojnë pasagjerët të cilët kanë rezultuar negativë për Covid-19 ose janë vaksinuar para se të arrijnë në aeroport, por asnjë nuk është botuar ende në një shkallë të konsiderueshme.
Beata Sperling-Tyler, një analiste e vjetër e kreditit në S&P Global, thotë se kompanitë duan siguri para se të dërgojnë punonjësit nëpër udhëtime: “Vlen të referohemi se çfarë ndodhi pas 11 shtatorit – aeroportet duhej të vërtetoheshin që nuk prekeshin nga terrorizmi dhe tani ata duhet të bëhen të sigurt nga virusi. ”
Avi Meir, shefi ekzekutiv i Travelperk, i cili siguron teknologjinë e rezervimit të udhëtimeve për biznese të tilla si Airbus, thotë se ndërsa rezervimet e korporatave të kompanisë janë 70 deri në 80 përqind më të ulëta se nivelet e vitit 2019, ajo ka fituar klientë duke zhvilluar një shërbim që u ofron udhëtarëve – lajmet të freskëta në lidhje me kufizimet dhe kërkesat shëndetësore.
“Kjo po drejton gjysmën e marrëveshjeve që ne fitojmë tani,” thotë ai. “Kufizimet [në prenotime] janë të jashtme: virusi dhe shqetësimet shëndetësore, rregullimi dhe kufizimet. Nuk ka një ndryshim në mënyrën se si njerëzit i shohin udhëtimet. ”
Sipas sondazhit të fundit të GBTA për anëtarët e saj, vetëm 6 përqind parashikojnë të udhëtojnë për biznes në tre muajt e parë të 2021.
Disa ofrues të udhëtimeve të klasit të biznesit janë mbrojtur nga një rënie e qëndrueshme e vëllimeve të korporatave. Linjat ajrore po kërkojnë të hapin më shumë itinerare drejt destinacioneve të kohës së lirë për të kompensuar ato të humbura nga rënia e trafikut të biznesit, ndërsa përpiqen të ridizajnojnë rrjetet e tyre.
Accor, grupi i hoteleve prapa markave Sofitel dhe Ibis, më parë u mbështet në udhëtimet e biznesit për rreth dy të tretat e të ardhurave të saj. Por ajo ka blerë pjesët e mbetura në markat e saj të hotelit butik – me një kosto prej rreth 500 milion dollarë – dhe po i bashkon ato në një kompani të re 1 miliardë $ me pronarin e hoteleve Hoxton Ennismore, në të cilën është aksioneri më i madh. Me ekipin e vet të përkushtuar të menaxhimit, shpresa është që portofoli të rritet shumë më shpejt.
Kompania është gjithashtu në fazat e hershme të vënies në dispozicion të kateve të papërdorura të hoteleve të saj kompanive për të ngritur qendra pune në distancë.
“Accor ka vendosur të shkojë shumë, shumë thellë në mbrojtjen e asaj që mund të jetë një humbje në udhëtimet e biznesit,” thotë Sébastien Bazin, shefi ekzekutiv i kompanisë me seli në Paris, i cili parashikon një ulje të përhershme midis 7 dhe 10 përqind të udhëtimit për biznes . Bazuar në të ardhurat e vitit 2019 që mund të arrijnë në më shumë se 200 milion €, dhe ndërsa ka 4 miliardë € likuiditet, ajo ka ulur dividentin e saj, uli kostot dhe largoi shumë punonjës puna prej 310,000 syresh që ka gjithsej.
Hilton dhe Marriott në mënyrë të ngjashme kanë filluar të “tregtojnë” dhomat bosh të hoteleve si hapësirë për punëtorët që nuk kanë luksin e një zyre në shtëpi dhe kanë investuar në procedura të pastrimit në nivel mjekësor dhe check-in pa kontakt për ata që kanë nevojë të bëjnë udhëtime brenda natës.
Satya Anand, president i divizionit të Marriott për Europën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, thotë se grupi gjithashtu ka filluar të ofrojë “mundësi të reja të protokollit shëndetësor” për takimet në hotelet e tij në SHBA. Bizneset që bëjnë rezervime në grupe në hotelet e saj Gaylord në Florida, Tenesi, Teksas dhe Kolorado mund të zgjedhin regjime të ndryshme testimi dhe pyetësorë para-udhëtimit që do të përfshihen në paketën e tyre.
Ulja e kostove
Qiejt e zbrazët që kontribuan në një rënie të niveleve të ndotjes në disa vende në vitin 2020 po çojnë gjithashtu qëndrueshmërinë në agjendën e korporatave. Një mënyrë e mundshme për të maskaur uljen e kostove është riemërimi i uljeve në udhëtime si iniciativa mjedisore që do t’i sjellin kompanitë më afër objektivave të emetimeve zero të karbonit, thotë zonja Sperling-Tyler.
Pavarësisht optimizmit në rritje rreth vaksinimeve, një sondazh i Deloitte i 90 drejtorëve të financave në të gjithë kompanitë më të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar në janar tregoi se 44 përqind pritet të zvogëlojnë edhe më tej gjatë 12 muajve të ardhshëm shpenzimet operative siç janë udhëtimet. CFO-të (shefat e financave) gjithashtu parashikojnë një rritje pesëfish në detyrat e kryera në shtëpi në krahasim me nivelet para-pandemike deri në vitin 2025.
Midis ndërmarrjeve që janë zotuar tashmë të ulin udhëtimet përfshijnë këshillime të tilla si Deloitte dhe PëC, grupi i mallrave të konsumit Nestlé dhe Allied Irish Banks, të cilët thanë se një angazhim për të zvogëluar përgjithmonë udhëtimet e biznesit ishte “natyrshëm” i përshpejtuar nga pandemia.
Megjithatë Ariane Gorin, president i sektorit të shërbimeve të biznesit të platformës së udhëtimit Expedia, tregon se një program më i qëndrueshëm i udhëtimit nuk do të thotë domosdoshmërisht një më i vogël. “Ajo që ka qenë interesante në lidhje me Covid-19 është se ajo ka lejuar shumë kompani të rivendosin programet e tyre të udhëtimit nga një bazë zero, duke u dhënë një mundësi të shkëlqyer për ta rindërtuar atë duke pasur parasysh axhendën e tyre të veçantë të përgjegjësisë shoqërore të korporatave.”
Një nga përfituesit e këtij rindërtimi mund të jetë hekurudha. Kur qeveria franceze ra dakord për një paketë të ndihmës shtetërore për Air France ajo përcaktoi një ulje prej 50 përqind të emetimeve të CO2 në linjat e mesme dhe të gjata deri në 2030 dhe kërkoi që kompania ajrore të ulë emetimet përgjysmë në rrugët e transportit të shkurtër ku trenat mund të ofrojnë një kohë udhëtimi prej dy orë e gjysmë ose më pak. Ura ajrore midis Barcelonës dhe Madridit, e operuar nga Iberia, është gjithashtu nën kërcënimin e anulimit nga zyrtarët në favor të trenave.
Cilado qoftë mënyra e udhëtimit, thotë, Anri i Marriott, i cili ka punuar në industri për më shumë se 25 vjet, nevoja për të rimarrë besimin që nxit marrëdhëniet e biznesit do ta çojë industrinë prapa: “Ndërsa puna virtuale është e shkëlqyer për të bërë punën e ditës , asgjë nuk mund ta zëvendësojë takimin ballë për ballë kur bëhet fjalë për nënshkrimin e një marrëveshjeje”. / Financial Times /Përgatiti Gazeta “Si“
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.