Kosova

Udhëhoqi bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë- Wesley Clark dëshmitar në mbrojtjen e Thaçit

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark është konfirmuar si dëshmitari i fundit në mbrojtjen e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale të Hagës.

Kërkesa për dhënien e dëshmisë së tij është paraqitur zyrtarisht. Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, ka siguruar edhe një leje të posaçme nga qeveria e SHBA-së që të japë dëshminë e tij në seancë. 

Ish-gjenerali i NATO-s konsiderohet dëshmitari më i rëndësishëm dhe dëshmia e tij do të jetë kyçe pasi ai drejtoi fushatën 78 ditore të bombardimeve të aleancës kundër Serbisë.  Kjo do të jetë dëshmia e dytë e ish-gjeneralit amerikan në një proces gjyqësor në Hagë që lidhet me konfliktet e armatosura në Ballkan. Në vitin 202 ai dëshmoi në gjyqin ndaj Sllobodan Millosheviç që akuzohej për krime lufte.  

Ish-ushtaraku amerikan është dëshmitari i pestë me radhë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin. Pas tij dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje.

I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.Mbrojtja për ish-presidentin Thaçi pritet që të përfundojë në muajin nëntor.

Fushata e drejtuar nga Clark detyroi ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviç, të tërhiqte forcat serbe nga Kosova në qershor 1999, duke i hapur rrugë vendosjes së trupave të KFOR-it, mision i NATO-s, si dhe kthimit të refugjatëve.

Që nga 5 nëntori i vitit 2020, në paraburgimin e Hagës ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë