Ne rrjet

Udhëheqësit europianë emërojnë drejtuesit e rinj të institucioneve kryesore të BE-së. Si votoi Meloni?

Nga Gazeta 'Si'- Udhëheqësit e Bashkimit Europian ranë dakord të enjten në mbrëmje(27 qershor) për drejtuesit e posteve kryesore në institucionet e përbashkëta politike, duke riemëruar konservatoren gjermane Ursula von der Leyen si presidente të Komisionit Europian, për pesë vjet të tjera.

Krahas zonjës von der Leyen, që kryeson degën ekzekutive të BE-së, Antonio Costa i Portugalisë u zgjodh president i Këshillit Europian dhe estonezja Kaja Kallas, kryediplomate e bllokut.

"E kënaqshme”, tha kryeministri polak Donald Tusk, ish president i Këshillit Europian. "Për Poloninë dhe për Europën".

Si Von der Leyen ashtu edhe Kallas, tani duhet të miratohen nga ligjvënësit evropianë. Emërimi i zotit Costa kishte nevojë vetëm për miratimin e drejtuesve dhe ai do të fillojë punën në postin e ri në vjeshtë.

Miratimi i tyre u mundësua pas arritjes së një marrëveshjeje në fillim të javës në mes të tre grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian – partive konservatore, atyre social-demokrate dhe partive liberale, përkundër kritikave të ashpra nga e djathta e skajshme.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e bëri të qartë pakënaqësinë e saj për përjashtimin nga bisedimet përgatitore të një grupi të vogël udhëheqësish që ndanë postet kryesore. Grupi i saj nacionalist i Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë doli si forca e tretë në zgjedhjet për Parlamentin Europian këtë muaj.

Kryeministrja Meloni votoi kundër zotit Costa dhe kundër zonjës Kallas, i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press dy burime të afërta me diskutimet, me kushtin që të mos u përmendej emri. Po këto burime thanë se zonja Meloni abstenoi në votimin për zonjën von der Leyen.

Në fund, vetëm kryeministri nacionalist hungarez Viktor Orbán, votoi kundër marrëveshjes trepalëshe.

“Votuesit evropianë u mashtruan”, shkroi ai në Facebook të enjten në mbrëmje. “Ne nuk e mbështesim këtë marrëveshje të turpshme”! Kundërshtimet e tij ishin të kota, meqë paketa kishte nevojë vetëm për dy të tretat e votave për t’u miratuar.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare evropiane, partitë e djathta shënuan përparim, në veçanti në Gjermani, Francë dhe Itali, por tre grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian vazhdojnë të kenë shumicën.

Antonio Costa, ish kryeministër portugez, vjen nga grupi i socialistëve dhe demokratëve të qendrës së majtë, i cili doli i dyti. Kaja Kallas, kryeministre e vendit të vogël baltik, vjen nga grupi liberal pro-biznesit, i cili është gjithashtu shtëpia e presidentit francez Emmanuel Macron dhe humbi vende në zgjedhjet e qershorit, duke u radhitur në vendin e katërt.

Postet kryesore në BE supozohet të sigurojnë ekuilibrin gjeografik dhe ideologjik, por në fund të fundit, janë 27 udhëheqësit e vendeve anëtare që mbajnë frenat në duar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë