Teknologjia tashmë na mundëson që të mund të rezervojmë një vend për të udhëtuar nga një qytet në një qytet tjetër, me veturë, me shoferin që është pronari i veturës dhe me persona të tjerë që gjithashtu kanë rezervuar, vetëm me një klik.
Eroll Gorci, themeluesi i ‘Udhë’, aplikacioni që bën lidhjen e shoferit të veturës me pasagjerin, ka treguar për Gazetasi.al gjithë rrugën e krijimit të aplikacionit dhe se si funksionon.

Aplikacioni mund të shkarkohet në App Store si dhe Google Play dhe mund të përdoret në të gjitha pajisjet inteligjente.


“Kur një shofer udhëton nga qyteti në qytet dhe ka tre vende të lira, ai mund të postojë një njoftim në aplikacion, duke specifikuar destinacionin, orën, datën, dhe vendtakimin”, thotë Gorci i cili shpjegon se pasi të jetë regjistruar njoftimi, çdokush që është i interesuar për të udhëtuar, mund ta shohë postimin dhe të rezervojnë një vend. Pasi të rezervojnë, udhëtarët komunikojnë direkt me shoferin dhe bashkëudhëtarët përmes chat-it.
Shoferët caktojnë çmimin e udhës për pasagjerë, që zakonisht është në vlerën e njëjtë apo edhe më lirë se bileta e autobusit.
“Ka udhëtime që janë bërë Prishtinë-Tiranë me vetëm 5 Euro apo edhe pa asnjë pagesë”, tregon Gorci.

Edhe pse ‘Udhë’ ka një vit që është krijuar, me rritjen e çmimeve të karburantit, ka filluar të rritet edhe aktiviteti i Udhë dhe tashmë, sipas Gorcit, njerëzit po kërkojnë të udhëtojnë më lirë, më shpejt dhe më rehat duke u bërë pjesë e aplikacionit.
Një nga pengesat e para që kanë hasur ka qenë frika e njerëzve se kë do marrin në makinë apo më kë do udhëtojnë. E mira e aplikacionit, thotë Gorci, është se tashmë është krijuar një komunitet ku njerëzit e njohin njëri-tjetrin.
Ndërkohë, të tjerët që nuk njohin njeri, mund të shohin të gjitha të dhënat e personit në aplikacion, mund të shohin sa herë ka udhëtuar, sa është vlerësuar nga të tjerët dhe historinë e tij të udhëtimeve.
Ky aplikacion ka tashmë një vit që është në përdorim në Kosovë dhe Gorci tregon për Gazetasi.al se ka pasur shtrirje të shërbimit në të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.


“’Udhë’ filloi në vitin 2019 në Kosovë si një komunitet online, dhe pas një periudhe të shkurtë u rriten kërkesat për të zhvilluar një aplikacion, ne (katër persona) dizajnuam dhe programuam një aplikacion lehtë i përdorueshëm, duke u bazuar në nevojat e komunitetit”, thotë Gorci për aplikacionin që sot numëron më shumë se 30,000 anëtarë, ndërsa aplikacioni mobil ka mbi 20,000 përdorues te regjistruar.
Midis qyteteve Shqiptare ka pak kohë që ka filluar të operojë dhe zyrtarisht do të lançohet me datë 15 Prill 2022.
Çfarë mendojnë personat që e kanë përdorur këtë platformë?
Komentet më të shpeshta të përdoruesve kanë të bëjnë me lehtësinë e përdorimit të aplikacionit. Zakonisht udhëtarët mund të rezervojnë një rrugëtim vetëm me 3-4 klikime, duke pasur mundësi që të fillojnë komunikimin menjëherë me shoferin dhe udhëtarët e tjerë.
Grupmoshat që e përdorin platformën/aplikacionin me shpesh janë nga mosha 18 deri në 45 vjeç të të dy gjinive. Numri më i madh i udhëtarëve janë student ndërsa shumica e shoferëve janë profesionist që jetojnë dhe punojnë në qytete të ndryshme.
Gorci tregon se ‘Udhë’ synon të forcojë prezencën në shtetet ku operon tani dhe te zgjerohet në Mal të Zi, Serbi dhe Greqi brenda dy viteve të ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.