Nga Gazeta ‘Si’– Departamenti Amerikan i Shtetit ka sulmuar Bashkimin Europian për politikat e tij të imponuara mbi vendet anëtare, të cilat kërcënojnë sovranitetin dhe demokracinë e shteteve kombëtare.
DASH e bëri këtë duke mbajtur një takim informues me gazetarët mbi migrimin masiv, por më pas e zgjeroi çështjen për të përfshirë të tjera si rregulloret digjitale dhe lirinë e shprehjes, pas kritikave të Zëvendëspresidentit J.D. Vance në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt.
Në këtë sfidë, Uashingtoni identifikon kryeministren italiane Giorgia Meloni, Viktor Orbánin e Hungarisë dhe disa shtete polake si aleatët e tij më të ngushtë, të vetmit që po e adresojnë emergjencën me qartësinë dhe vendosmërinë e nevojshme.
Të enjten e kaluar Departamenti i Shtetit u dërgoi një kabllogram ambasadave amerikane në Europë, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re, duke kërkuar që “të mbledhin të dhëna mbi krimet e lidhura me emigracionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të lehtësuara nga persona me prejardhje migrante”, si dhe të ndërveprojnë me qeveritë lokale për të adresuar problemin.
Një mesazh i dytë informonte se këto tema do të përfshihen në raportin vjetor të Uashingtonit mbi të drejtat e njeriut në botë.
Dje një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit mbajti një takim me gazetarët, duke shpjeguar logjikën pas iniciativave: “Migrimet masive (të paligjshme dhe të ligjshme) janë një kërcënim ekzistencial për civilizimin perëndimor dhe sigurinë e Perëndimit dhe të botës”.
Si provë ai citoi efektet mbi rendin publik, dhunat seksuale të kryera “veçanërisht nga ekstremistë me prejardhje islamike”, dhe gjithashtu ndikimin ekonomik, për shembull duke zhvlerësuar tregun e ndërtimit. Qëllimi i SHBA-ve është të mbledhin të dhëna, t’i ndajnë me aleatët dhe, nëse duan, t’i ndihmojnë t’i përballojnë problemet.
Zyrtari tha se çdo vend ka të drejtën të vendosë politikën e vet migratore, ndaj pritshmëria nuk është që të gjithë të adoptojnë atë të administratës Trump, por qëllimi është të reformohet administrimi i të drejtave të njeriut duke e hequr korrektësinë politike nga ekuacioni.
Italia, sipas zyrtarit, është më e avancuara në këtë front: “Administrata, në nivele shumë më të larta se të miat, e vlerëson shumë kryeministren Meloni, veçanërisht për vullnetin për ta përcaktuar migracionin masiv për atë që është.
Disa vende në Europë kanë qenë veçanërisht të guximshme dhe të gatshme të sfidojnë narrativën dominuese, gënjeshtra si ideja radikale e kufijve të hapur. Meloni është një prej këtyre personave, bashkë me kryeministrin hungarez Orbán dhe disa miq në Poloni.”
Sulmi pra synon kryesisht BE-në, duke nisur nga Pakti për Migracionin dhe Azilin, por problemi shkon përtej migracionit: “Kjo është në përputhje me shqetësimet tona më të gjera në Europë lidhur me rregullimin e tepërt dhe shkeljen e sovranitetit nga ana e BE-së. E kemi thënë këtë lidhur me Digital Services Act, i cili shpesh cenon ose pengon lirinë e shprehjes, në vendet anëtare por edhe jashtë, përfshirë SHBA-të, AI Act dhe Digital Markets Act”.
Një përplasje që shkon përtej tarifave doganore dhe trondit themelet e aleancë.
Marrë nga La Repubblica/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



