Bota

Uashington–Teheran: negociata të pasigurta dhe ‘opsione të tjera’ në tryezë

Nga Gazeta ‘Si’– Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë vënë në pikëpyetje.

Ato u anuluan për pak orë dhe më pas u rikthyen sërish në agjendë.

I dërguari i Donald Trump, Steve Witkoff, ishte gati të largohej nga Lindja e Mesme dhe të kthehej në Miami, të paktën sipas burimeve amerikane që flisnin gjatë pasdites. Ende nuk është e qartë nëse kjo ishte një lëvizje taktike e Witkoff, një përpjekje e fundit negociuese për të parë reagimin e palës iraniane duke “u ngritur nga tavolina”.

Ajo që dihet me siguri është se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka këmbëngulur se bisedimet me Teheranin duhet të përfshijnë jo vetëm programin bërthamor, por edhe programin raketor iranian dhe mbështetjen ndaj grupeve ekstremiste në rajon, si Hezbollahu libanez.

Këto kërkesa konsiderohen të papranueshme nga Irani. 

“Kështu rrezikojnë të hedhin në erë negociatat”, ka deklaruar një zyrtar për agjencinë Reuters.

Sipas medias amerikane Axios, negociatat e raundit të parë, të parashikuara për nesër, ishin anuluar në një moment, për t’u rikthyer më pas. Shkak u bënë përplasjet mbi vendin pritës dhe formatin e takimeve.

Shtëpia e Bardhë kishte kundërshtuar propozimin iranian për ndryshimin e vendit nga Turqia në Oman, si dhe kërkesën e Teheranit që bisedimet të zhvilloheshin në mënyrë bilaterale, pa praninë e vendeve arabe si vëzhguese.

Fillimisht ishte planifikuar që disa shtete arabe të merrnin pjesë si vëzhgues, por Irani kërkoi takime pa “dëshmitarë”. Në fund, Trump dhe këshilltarët e tij thuhet se i janë nënshtruar presionit të vendeve të Gjirit për të mos i braktisur bisedimet. Takimi do të zhvillohet në Oman.

Roli i vëzhguesve konsiderohej kyç, pasi ata do të garantonin që të diskutoheshin edhe çështjet rajonale dhe jo vetëm programi bërthamor. Vende si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite ndihen të kërcënuara nga raketat që ndodhen në arsenalin e Gardës Revolucionare iraniane. Po ashtu edhe Izraeli, i cili nuk merr pjesë në negociata: kryeministri Benjamin Netanyahu i ka thënë Witkoff, gjatë një vizite të martën, që “të mos i besojë regjimit”.

Burime amerikane i kanë thënë Axios se presidenti Trump “është me nxitim, por nëse iranianët ndryshojnë qëndrim, mund të takohemi sërish këtë javë ose javën tjetër. Në të kundërt, do të kalojmë në opsione të tjera”. Këto “opsione” përfshijnë edhe një sulm të mundshëm ushtarak, të cilin Trump e ka kërcënuar më herët, duke iu referuar forcave detare amerikane të dislokuara në Gjirin Persik si “Armada”.

Witkoff dhe Jared Kushner ndodhen në Katar, një nga vendet ndërmjetësuese, ku po marrin mendimet e vendeve të rajonit përpara takimit ballë për ballë të nesërm me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

“Khamenei duhet të jetë shumë i shqetësuar”, ka paralajmëruar Trump në një intervistë për NBC, të dhënë përpara përshkallëzimit të krizës rreth negociatave.

Tensionet u shtuan edhe dje, kur nga aeroplanmbajtësja “Abraham Lincoln”, pjesa kryesore e “Armadës” amerikane, u ngrit një avion F-35 për të rrëzuar një dron të drejtuar nga Garda Revolucionare iraniane drejt anijes.

Pak orë më parë, dy anije të vogla luftarake iraniane kishin tentuar të ndalonin dhe të hipnin në një cisternë nafte me flamur amerikan, duke detyruar ndërhyrjen e një shkatërruesi amerikan për ta shoqëruar anijen përtej Ngushticës së Hormuzit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë