Gazeta Si – Një sipërmarrës ndërtimi italian ka pranuar se ka vrarë një të ri shqiptar dhe ka fshehur trupin e tij, pasi viktima kishte tentuar të grabiste banesën e tij në zonën e Cilentos në Salerno , së bashku me 2 bashkëkombës të tij.
Ngjarja ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe të hënës, kur tre shqiptarët hynë për të grabitur vilën e biznesmenit 58-vjeçar Aurelio Valiante. Gjatë përplasjes, sipas hetimeve të para, Valiante ka marrë një pushkë gjahu dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.
Si pasojë e të shtënave, humbi jetën 25-vjeçari shqiptar, i identifikuar si Rivaldo Rusi, ndërsa një tjetër i ri shqiptar, 28 vjeç, mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spitalin “Cardarelli” në Napoli, në gjendje kritike shëndetësore.
Në vend që të njoftonte policinë apo ambulancën, Valiante ka vendosur të fshehë trupin e të ndjerit. Pas disa ditësh heshtjeje, ai është dorëzuar në polici dhe ka rrëfyer ngjarjen, duke udhëhequr hetuesit drejt vendit ku kishte fshehur trupin – një fermë në zonën Limazzo, pranë një fushe sportive. Trupi i të riut u gjet brenda një vaske vere, në gjendje të rënduar.
Një pikë kthese në hetime ishte dëshmia e të plagosurit, i cili nga spitali tregoi se kishte parë mikun e tij të rrëzohej dhe më pas ishte tërhequr zvarrë nga vendi i ngjarjes. Fillimisht deklarata e tij u mor me rezervë, por më pas u vërtetua nga rrëfimi i vetë autorit.
Aurelio Valiante pranoi para Prokurorisë së Vallo della Lucania akuzat për vrasje, fshehje të kufomës dhe lëndim të rëndë trupor. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit “San Luca” për autopsi, ndërsa identifikimi u konfirmua përmes dëshmive dhe verifikimeve të policisë.
Autoritetet italiane kanë nisur hetime të plota për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ndërkohë, Valiante përballet me akuza të rënda penale dhe pritet të dalë përpara drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.