Drejtësia

U vra në një atentat, Prokuroria Tiranë kërkon konfiskimin e mbi 2.5 milionë euro pasuri të Ndue Gjergjit

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës kërkon konfiskimin e mbi 2.5 milionë euro pasuri të biznesmenit Ndue Gjergji, (i cili ka humbur jetën në një atentat në vitin 2020) dhe familjarëve të tij.

Gjergji, njihet ndryshe edhe me emrin Paulin Marku dhe u ekzekutua në Laç, teksa ndodhej në hollin e një hoteli bashkë me miqtë e Ervis Martinajt, i zhdukur prej më shumë se dy vjetësh.

Ndue Gjergji ka qenë hetuar në Holandë për veprën penale të “pastrimit të parave”, ndërsa në Itali është dënuar për “trafik droge”.

Në kërkesën e saj, Prokuroria kërkon sekuestrimin e 13 pasurive të paluajtshme, më specifikisht: të 6 apartamenteve, 6 garazheve dhe një njësie shërbimi.

“Prokuroria provoi se shtetasi N.Gj., (Ndue Gjergji) ka qenë nën hetim në Hollandë për veprën penale të ‘pastrimit të parave’ ndërsa më parë ka qenë i arrestuar dhe i dënuar për drogë në Itali”, thuhet në njoftim.

Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, përsa i përket pasurive të Gjergjit dhe familjarëve të tij, sqarohet se “rezultoi se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se 13 pasuritë e paluajtshme i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë  kriminale”.

Paulin Marku, i njohur edhe me emrin Ndue Gjergji sipas akuzës, para vrasjes ka qenë pjesë e një grupi kriminal, i cili aktivitet kryesor kishte trafikimin e lëndëve narkotike.

Prokuroria thotë se ka identifikuar pasuritë e tij të cilat nuk justifikohen nga dhe dyshohet se lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale që ka kryer i dyshuari.

Ndue Gjergji, alias Paulin Marku ndodhej në një lokal mbrëmjen e 30 majit 2020 bashkë me shtetasin Bujar Hasani i njohur edhe me mbiemrin Lika, kur u ekzekutuan me 5 plumba.

Pjesëtarë të grupit të hetimit, thanë se autorë në fillim u vunë armët në kokë dy fëmijëve të biznesmenit të njohur, të cilët ndodheshin pranë makinës së tyre në parkingun e hotelit.

Teksa njëri prej tyre ruante djemtë e Paulin Gjergjit, të cilëve u kishin marrë edhe celularët, të tjerët u nisën drejt hyrjes kryesore të hotelit. Në hollin e tij ndodhej Markaj dhe Lika.

Lika, një prej njerëzve më të afërt të Ervis Martinajt, ndërroi jetë në vend, ndërsa Gjergji u plagos rëndë. Ai humbi jetën disa orë më vonë në Spitalin e Traumës, pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.

Për këtë arsye, prokuroria kërkon konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të mëposhtme:

1. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;

2. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;

3. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;

4. Garazh me sipërfaqe 15.00 m2;

5. Garazh me sipërfaqe. 15.00 m2;

6. Garazh me sipërfaqe. 15.00 m2;

7. Garazh me sipërfaqe 15.00 m2,;

8. Apartament me sipërfaqe 617.84 m2;

9. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;

10. Njësi me sipërfaqe 45.21 m2;

11. Garazh me sipërfaqe 15 m2;

12. Garazh me sipërfaqe 15 m2; dhe

13. Apartament me sipërfaqe 99.70 m2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë