Nga Gazeta Si- Engjëll Cani, babai i Martin Canit që u vra pranë Shkollës “Fan Noli” në Tiranë është pyetur këtë të mërkurë rreth ngjarjes, ku dhe ka deklaruar se nuk është vënë në dijeni nga shkolla rreth konfliktit që i biri kishte pasur 3 ditë para se të ndërronte jetë.
Deklarimet ai i ka dhënë në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, për llogari të hetimeve që drejtohen nga Prokuroria e Kryeqytetit.
Babai i të ndjerit ka thënë se bashkëshortja e tij ka marrë vetëm një telefonatë nga shkolla ditën e ngjarjes tragjike dhe pavarësisht tentativave për t’u lidhur me stafin e shkollës, askush nuk i është përgjigjur.
Engjëll Cani ka deklaruar se gjithçka çfarë ka ndodhur e ka mësuar pasi ka mbërritur në spital.
Babait të të miturit të vrarë i janë kthyer sendet e Martinit, çanta e shkollës me libra, e cila u sekuestrua në vendin e ngjarjes nga oficerët e policisë.
Ai është pyetur edhe nëse familja e autorit të dyshuar i ka kontaktuar apo e kanë takuar pas ngjarjes, teksa Engjëlli thotë se deri më sot nuk ka ndodhur diçka e tillë.
Martin Cani u vra më 18 nëntor, në mes të ditës më thikë nga bashkëmoshatari i tij, M. P.. Gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për të, vendim që ai e ka ankimuar.
Ngjarja në derë të shkollës ngjalli reagime të shumta për sigurinë e fëmijëve, ndërsa prindërit në disa protesta kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, pasi kishte dhe dyshime nga babai i 14-vjeçarit të plagosur, Luis Meçe, që në ngjarje ka qenë dhe një autori i dytë, dyshime që u hodhën poshtë nga policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.