Ka ndodhur

U vetëhelmua me fostoksinë para SPAK-ut ndërron jetë në spital 63-vjeçari Pal Trashaj

Gazeta Si- Pal Trashaj, 63-vjeçari që u vetëhelmua me fostoksinë një ditë më parë para dyerve të SPAK, fatkeqësisht ka ndërruar jetë në spital mëngjesin e kësaj të mërkure.

Mjekët nuk mundën ta shpëtonin, edhe pse u mbajt në spital për disa orë nën kujdes intensiv.

Pal Trashaj kishte kërkuar takim me hetuesit e BKH dhe SPAK një ditë më parë për të denoncuar abuzimet me skemat e mikrokredive, për të cilat ka tashmë një hetim Prokuroria e Tiranës.

Mësohet se për shkak të një kredie që Pal Trashaj pretendonte se e kishte shlyer, MCA i kishte bllokuar atij pronën duke e konsideruar debitor.

Në një reagim SPAK informoi se 63 vjeçari kërkonte takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.

Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje. Pas disa orësh, jashtë ambienteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj.

Ndërkohë, Gledis Trashaj, djali i 63-vjeçarit Pal Trashaj që humbi jetën pasi konsumoi fotoksinë para SPAK, në një prononcim për mediat ka thënë se janë të shokuar për ngjarjen.

Ai deklaroi se babai i tij kërkonte drejtësi, teksa tregoi se Pal Trashaj kishte komunikuar me bashkëshorten në telefon, pasi kishte konsumuar fotoksinë dhe i bëri me dije aktin e rëndë që kishte ndërmarrë.

Gledis Trashaj tha se do të marrë një avokat dhe do e ndjekë këtë çështje deri në Gjykatën e Strasburgut. Ai deklaroi se në vitin 2014 shoqëria përmbaruese i kishte bllokuar pagat të gjithë familjes së tij, duke mos i lënë as minimumin jetik.

Deri më tani rreth skandalit të mikro-kredive ka pasur vetëm disa arrestime nga ana e Prokurorisë së Tiranës, teksa një dosje ndodhet edhe në SPAK, pasi dyshohet se të përfshirë janë edhe zyrtarët e lartë të Bankës së Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë