Gazeta Si – Prokurori i Tiranës Besnik Cani ka fituar gjyqin në Strasburg mbi shkarkimin e tij nga Vettingu në vitin 2020.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka evidentuar shkelje në shkarkimin e prokurorit të Tiranës dhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Pas shkarkimit, Cani e dërgoi çështjen në Gjykatën e Strasburgut me arsyetimin se gjykimi i tij ishte kryer në kundërshtim me rregullat e pranueshmërisë.
Sipas GJEDNJ, gjyqtari i KPA-së, Luan Daci, i cili ka dhënë vendimin për Canin ka pasur probleme ligjore. Në janar 2020, Cani paditi pikërisht në SPAK Dacin, duke pretenduar se ishte emëruar në kundërshtim me ligjin dhe kriteret e përcaktuara prej tij.
Ai ishte konfirmua në detyrë më 27 nëntor 2018 nga shkalla e parë e Vetingut dhe dy javë më pas u zgjodh anëtar i KLP-së.
Por vendimi u ankimua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe nga Komisioneri Publik, të cilët kishin rezerva për konfirmimin në detyrë të tij për shkak të problemeve me pasurinë, aftësitë profesionale dhe shkeljen e etikës.
Sipas Komisionerit Publik, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte “kontradiktor dhe jo-bindës” dhe se ishte marrë në interpretim të gabuar të ligjit.
Në kundërpërgjigje të këtyre argumenteve Cani dorëzoi prova shtesë për sa i përket pasurisë, por që u refuzuan nga KPA.
Sipas komisionerit, Cani ishte në kushtet e pamjaftueshme për të justifikuar disa prej pasurive që disponon. Në raport me këtë kërkesë, mbledhja e KLP-së ka miratuar mbarimin e mandatit të Canit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




