Para

U rrit me 88 mln euro për tre muaj, borxhi i jashtëm i Shqipërisë në shifrat më të larta të 14 viteve të fundit

Nga Gazeta ‘SI’ – Borxhi i Jashtëm Bruto i Shqipërisë është rritur me pothuajse 1% për tremujorin e dytë, krahasuar me atë të parin të vitit 2022, duke shkuar në vlerën e 9.89 mld eurove. Rritja prej 0.9% përkthehet në 88 mln euro, rritje.

Në raport vjetor, me tremujorin e dytë 2021, borxhi i jashtëm është rritur me 11.2%, me 1.1 mld euro më shumë, sipas Bankës së Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e këtij borxhi, 48% është hua afatgjatë e qeverisë, 4.84 mld euro për tremujorin e dytë 2022, me rritje 668 mln euro në raport vjetor dhe 1 mln euro nga tremujori i parë.

Korporatat depozituese, bankat, mbajnë 1.58 mld euro hua, me rritje 5 mln euro nga tremujori paraardhës, dhe 130 mln euro nga e njëjta periudhë e një viti më parë.

1.69 mld euro borxh i përkasin kompanive ndaj kompanive të tjera, rritur me 2 mln euro nga tremujori i parë në atë të dytë dhe me 68 mln në një vit.

Vlera e borxhit të jashtëm për tre muajt e dytë 2022, është shifra më e lartë që nga viti 2008, kur BSH ka nisur publikimin e statistikave.

Rritja e borxhit publik të Shqipërisë ka qenë herë pas herë fokus i raporteve ndërkombëtare që bënin thirrje për stabilizim të tij. Banka Botërore, Agjencia e Moody’s dhe Banka e Shqipërisë, kishin parashikuar një rënie të borxhit të përgjithshëm të Shqipërisë, për vitin 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë