Ngjarje

U rrëmbye nga babai xhihadist, Eva Dumani riatdhesohet pas 12 vitesh nga kampi në Siri

E rrëmbyer nga babai xhihadist 12 vite më parë, është rikthyer në Tiranë pranë nënës dhe vëllait të saj Eva Dumani. Vajza shqiptare kishte mbetur e vetme në kampin e ferrit Al Hol në Siri pasi nuk pranoi të vinte në Shqipëri disa vite më parë kur u ndërmor një mision evakuimi përmes të cilit u kthyer i vëllai.

Eva dhe Endri Dumani, ishin dy prej 80 fëmijëve dhe grave të mbetur në kampin Al Hol në Siri, pas rënies së shtetit islamik.

Ata mbetën të vetëm pasi gjyshja e tyre Mendije Dumani që kujdesej për ta, ndërroi jetë.

Eva Dumani ka mbërritur paraditen e sotme nga Turqia në aeroportin e Rinasit. Atë arriti ta nxjerrë ilegalisht nga Siria në Turqi daja i saj, ndërsa në Shqipëri u soll në një operacion ku u përfshi edhe Anti-terrori në Policinë e Shtetit.

E larguar nga atdheu në moshën 9 vjeçare, sot 21 vjeç, Eva humbi në Siri babain i cili u vra në luftë dhe gjyshen e cila shkoi ta merrte në kamp. Në vitin 2020, u kthye i vetëm vëllai i saj, Endri, në atë kohë 13 vjeç.

Nga informacionet që u raportuan në atë kohë, u tha se Eva, e cila ishte mbuluar me shami, ishte fshehur pasi nuk dëshironte që të kthehej, por një fakt i tillë nuk u konfirmua kurrë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë