Nga Gazeta Si- Kryesocialisti Edi Rama u tha shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Britani të Madhe se zgjedhjet 2025, nuk do jenë vetëm fitorja e radhës, por përfundimtare.
Nga takimi me diasporën në Londër Rama nuk kurseu as ‘sulme’ për opozitën, duke thënë se dhuna në Kuvend është shembulli më i keq që mund të marrin fëmijët e të rinjtë sot.
“Sa më shumë luftohet korrupsioni, u bien daulleve me sharje e shpifje, duke nxitur dhunë, duke u bërë shembulli më i keq për rininë dhe fëmijët. Ku ka vatër me çedukuese më dhunënxitëse sesa vet parlamenti ku deputetët në vend të flasin në emër të atyre që duan një qeveri tjetër, shajnë me libër shpie, ngrenë duart e këmbët, djegin karrige, pastaj mezi presin të marrin zvarrë një viktimë për ta përdorur për luftën e tyre për pushtet. Vrasjet dhe dhunimet apo problemi i ekspozimit të fëmijëve, përmbytjet, zjarret masive nuk ndezin epshet e luftës për pushtet.
Pavarësisht statusit social, ju te gjithë keni një horizont mbi jetën mbi botën, një horizont që është garanci dhe vlerë e shtuar për gjykimin e popullit mbi alternativat e Shqipërisë. Ajo që nuk kuptoj, ata të verbër të cilët afrohen në dyert e takimeve tona, apo të cilët marrin nuk e di sesi një nxitje për tu ngritur dhe bërtitur, është që Shqipëria sot, nuk është e ndarë mes të majtës e së djathtës, mes socialistësh e demokratësh, Shqipëria sot është e ndarë mes përpjekjes për të bërë më të mirë dhe për të përqafuar të ardhmen.
Të gjithë prindërit duhet të bëhen bashkë dhe ta shporrin këtë hall nga hapësira ku edukohen fëmijët e tyre, ta shporrin nga kornizat e tv, nga ku përcillen vetëm valë ndasie. Nëse ju do merrni pjesë në zgjedhjet e ardhshme për Shqipërinë 2030 në BE, përballja e ardhshmja elektorale do të jetë përfundimtare, pa kthim mbrapa. Për drejtësinë dhe ekonominë. Fitorja duhet të jetë përfundimtare, edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit”, tha Rama.
Ai tha gjithashtu se së shpejti do ketë një nismë ligjore për regjistrimin në Shqipëri të të gjithë fëmijëve të prindërve që u regjistruan si kosovarë në Angli.
“Disave prej jush u është dashur të fshehin identitetin e tyre disa të bëjnë p[unë që nuk i kishin parë as në ëndrrën më të keqe dhe të tjerë kalojnë vështirësi për regjistrimin e fëmijëve bë Shqipëri. Së shpejti do të ndërmarrim një nismë ligjore për regjistrimin pa telashe në Shqipëri të të gjithë fëmijëve të prindërve që u regjistruan si kosovarë këtu në Angli dhe do vazhdojmë përpjekjet diplomatike pranë qeverisë së re britanike për t’ju mundësuar të gjithëve ju që keni një emër nga ajo kohë rikthimin e emrit të nënës e babës në të gjitha raste kur ju e dëshironi. Në atë kohë shumë prej nesh udhëtuan drejt Britanisë ku u regjistruan si refugjatë politikë për të fituar lejen e qëndrimit dhe për të jetuar. Sot është kollaj të thuhet se ata abuzuan me sistemin e këtushëm duke ndërruar emër dhe mohuar vetveten. Por vetë ndarja mes refugjatëve politikë dhe ekonomikë jo si në kushtet e atij viti është një mjet për të justifikuar përjashtimin shoqëror në një Europë që është e kapur në kurthin e politikës dritëshkurtër të zgjedhjeve të radhës”.
Rama theksoi se Anglia ka përfituar më shumë nga shqiptarët sesa e kundërta.
“Ju shqiptarët kemi përfituar më pak sesa ka përfituar ky vend nga ju dhe kjo nuk është retorikë por e vërtetë që vlen për të gjithë shqiptarët që janë krenaria kombëtare e një Shqipërie që më në fund ka nisur t’ju bëjë edhe ju krenarë, siç ju e bëni krenar në art, biznes e shkencë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.