Treg

U raportua se mishi i derrit me salmonelë shitej në fshehtësi, AKU: U asgjësua më 16 prill

Nga Gazeta ‘Si’- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar pas lajmeve të publikuara në disa media se mishi i derrit me salmonelë shitej në fshehtësi.

Në një deklaratë, ky institucion i quan të pavërteta këto lajme dhe sqaron se bëhet fjalë për 4,516.75 kg fileto mish derri, të cilat u bllokuan që më 28 janar 2025 pas konstatimit të kontaminimit me bakterin salmonella spp përmes analizave laboratorike.

Sipas AKU-së, sasia e mishit qëndroi e bllokuar në magazinat e subjektit importues deri më 16 prill, kur kompania kërkoi zyrtarisht asgjësimin e saj pranë autoriteteve kompetente, përfshirë Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Tiranë dhe Drejtorinë Rajonale AKU Tiranë.

AKU siguron “konsumatorët se sasia prej 4516, 75 kg fileto mish derri është asgjësuar në prani të të gjithë përfaqësuesve të autoriteteve kompetente të lartpërmenduara” dhe thotë se “është në gatishmëri të plotë për garantimin e sigurisë ushqimore, në mbrojtje të shëndetit të konsumatorit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë