Trashëgimi

U prenë drurët e ullinjve për të prodhuar hekur/Si ra qyteti antik i Zitës në Tunizi

Gazeta “SI”- Sipas studimeve më të fundit arkeologjike, ndikimi i politikave ekonomike romake në Afrikën Veriore ka rezultuar fatal për disa qendra të hershme të prodhimit të vajit të ullirit, përfshirë qytetin antik Zita në Tunizinë e sotme.

Romakët pushtuan fenikasit e rajonit në vitin 146 p.e.s., duke u lejuar atyre të ruanin traditat kulturore, por duke imponuar një sistem të ri ekonomik që do të ndryshonte përgjithmonë peizazhin bujqësor dhe industrial të zonës.

Një ekip amerikan i studiuesve dhe arkeologëve, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë së Tunizisë, ka analizuar mbetjet e skorjeve të hekurit dhe bërthamave të karbonizuara të ullirit në territorin e Zitës. Të dhënat tregojnë se, pas ardhjes së romakëve, prodhimi i hekurit u rrit ndjeshëm. Një industri që kërkonte sasi të mëdha druri për karburant. Problemet serioze u shfaqën rreth vitit 200 e.s., kur kërkesat e Perandorisë për hekur u rritën në dëm të ullishtave.

“Mund ta shohim qartë në të dhënat arkeologjike se ata humbën ekuilibrin midis prodhimit të karburantit dhe prodhimit të vajit të ullirit,” shpjegon arkeologu Brett Kaufman i Universitetit të Illinois në Urbana-Champaign.

Sipas tij, murtajat dhe paqëndrueshmëria politike në perandori mund të kenë ushtruar presione që çuan në vendime të nxituara, duke sakrifikuar ekonominë tradicionale të qytetit.

Për të përmbushur kërkesën romake për hekur, pemishtet e ullinjve, themeli ekonomik i Zitës për shekuj u prenë masivisht dhe u përdorën si karburant në furrat e shkrirjes. Kjo praktikë shkatërrimtare çoi gradualisht në shembjen e qytetit rreth vitit 450 e.s.

“Është tronditëse të mendosh për koston emocionale për njerëzit që kuptuan se po ushqenin një perandori duke humbur qytetin e tyre,” thotë Kaufman, duke nënvizuar dramën sociale dhe ekonomike që fshihet pas këtyre të dhënave arkeologjike.

Ky zbulim, i kombinuar me të dhënat nga Henchir el Begar ku u identifikuan dy torcularia gjigante romake, ofron një panoramë të gjerë mbi organizimin bujqësor, industrial dhe socio-ekonomik të Afrikës Veriore gjatë sundimit romak, duke treguar se si kërkesat e perandorisë mund të transformonin dhe në disa raste, të shkatërronin qendra të tëra prodhimi.

Burimi: Archaeology News


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë