Kosova

U paraqit nga ekipi menaxhues dhe u refuzua nga Kosova, çfarë përmban draft-statuti për Asociacionin

Në takimin e fundit në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pati pajtueshmëri për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës, por qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Gjatë takimit të 2 majit një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, prezantoi draft-statutin për formimin e Asociacionit, por që ishte kundërshtuar nga Kurti.

Drafti përmban 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj, si: dispozitat e përgjithshme, çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi në Asociacion dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet në statutin e Asociacionit, shpërbërja e Asociacionit dhe dispozitat tranzicionale dhe përfundimtare.

Aty thuhet se Asociacioni do të jetë një formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave që jetojnë në komunat që janë pjesë e Asociacionit.

Asociacioni t’i regjistrojë votuesit, të mbajë regjistrat e lindjeve, martesave dhe vdekjeve, do të bëjë një përmbledhje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, kujdesit shëndetësor, e mirëqenies sociale.

Asociacioni, përmes organeve të tij, do të miratojë vendime të Kuvendit e rregullore, do ta mbikëqyrë zbatimin e ligjeve, do t’i rregullojë zgjedhjet, do të bëjë riorganizimin dhe funksionimin e organeve, agjencive, ndërmarrjeve publike, do të bëjë mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikore, do të propozojë referendume, do të vendosë për huamarrjen financiare, do të miratojë buxhetin dhe bilancin vjetor, do të themelojë organizata, agjenci, ndërmarrje dhe institucione publike, fonde, institucione financiare dhe do ta mbikëqyrë punën e tyre.

Neni 8: Komuniteti do të vendosë simbolet e tij së bashku me mënyrën e përdorimit të tyre. Simbolet e Komunitetit do të jenë himni, flamuri dhe stema. Vendimi i Kuvendit për simbolet e Komunitetit do të miratohet me shumicën e votave të të gjithë Këshilltarëve.

Neni 11: Në kuadër të kompetencave të përcaktuara me këtë Statut, Komuniteti do të krijojë të reja dhe do të menaxhojë dhe do të kryejë mbikëqyrje të plotë mbi institucionet ekzistuese, themelues i të cilave është Republika e Serbisë në fushën e arsimit, standardit të studentëve dhe nxënësve, shkencës, kulturës, kultura fizike, mbrojtja shëndetësore, kujdesi social dhe fusha të tjera të Statutit.

Kuvendi i Asociacionit mund të shpallë referendum me iniciativën e tij, për çështje brenda kompetencave të veta, ndërsa është i obliguar të shpallë referendum me kërkesë të 10 për qind të votuesve që banojnë në territorin e komuniteteve pjesëtare të Asociacionit.

Neni 31: Emërimi i Komandantit të Policisë së Qarkut. Komuniteti, do të emërojë komandantin e policisë rajonale për komunat: Mitrovica Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Gjithashtu, në draft-statut përcaktohet se kuvendi i asociacionit do të menaxhojë të gjitha pasuritë nëntokësore dhe burimet hidrike.

Neni 54: Burimet natyrore (depozitat e qymyrit, xeheve të metaleve dhe jometaleve, uji, burimet ujore, burimet nëntokësore dhe gjeotermale, etj.) të vendosura në territorin e Komunitetit menaxhohen nga Komuniteti, Statuti dhe Kuvendi.”

Në asnjërin prej neneve nuk përmendet ndonjë varësi nga qeveria e Kosovës, por vetëm nga ajo e Serbisë. Ky draft-statut është refuzuar menjëherë nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti në takimin e 2 majit në Bruksel, ndërsa BE-ja e konsideron si hapin e parë drejt formimit të Asociacionit/ Telegrafi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë