Ka ndodhur

U kap në makinë me Indrit Doklen, gjykata lë në burg Fatjon Muratin

Gazeta Si – Fatjon Murati, i arrestuar disa ditë më parë, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.

32-vjeçari ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe u arrestua nga policia, teksa udhëtonte i shoqëruar nga Indrit Dokle dhe Gentjan Reçi, të cilët më pas u lanë të lirë.

Murati ishte shpallur në kërkim pasi në bazë të një procedimi penal të këtij viti, ka rezultuar se është bashkëpunëtor (posedues i armëve) me Kristian Gjini, i cili është arrestuar në kuadër të operacionit “Ruger”, të zhvilluar me datë 12.07.2022.

Sipas informacioneve paraprake, ai ka mohuar të ketë lidhje me armët e zjarrit, ku dyshohet se ka lënë gjurmë gishtash në një kuti pistolete.

Kristian Gjini është arrestuar në muajin korrik për mbajtjen e 7 armë zjarri, 4 silenciatorë, municion luftarak, krehra, lëndë e dyshuar narkotike, 2 radio si ato të Policisë, dorashka, 7 maska, një thikë, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjete.

Pak kohë më parë Murati, Gentjan Reçi dhe kunati i tij, Endrit Dokle janë marrë në pyetje nga prokuroria e Krujës, si persona që mund të kishin dijeni mbi rrethanat e ngjarjes, ku mbetën të vrarë Briland Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë