Drejtësia

U kap në makinë me 1 kg kokainë, shpallet i pafajshëm polici i RENEA-s

Polici i repartit të RENEA-s, Xhulio Liçi, ka fituar pafajësinë për akuzat e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. I riu u arrestua në maj të këtij viti bashkë me dy persona të tjerë në rrugën e Ndroqit, me Ded Nimanin dhe Luan Gaçin, pasi në mjetin e tij u gjet 1 kilogramë kokainë.

Liçi, lindur në Fier në fshatin Libofsh dhe banues në Yzberisht, gjithnjë ka mbajtur një qëndrim mohues para prokurorëve se nuk kishte lidhje me lëndën narkotike. Për këtë sasi droge u dënua shtetasi Ded Nimani me 4 vite e 8 muaj burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Nimani para hetuesve, por edhe gjatë një ballafaqimi të bërë gjatë hetimeve me punonjësin e policisë dhe shtetasin tjetër Luan Gaçi, ka dëshmuar se asnjëri prej tyre nuk kishte dijeni për drogën dhe çdo gjë ishte bërë prej tij.

Në këto kushte, por edhe në mungesë të provave, Prokuroria liroi nga akuzat për drogë efektivin e RENEA-s dhe shtetasin Luan Gaçi.

Ky i fundit është akuzuar për një tjetër vepër penale, atë të fshehjes së të ardhurave pasi është konstatuar se punonte taksi pa licencë dhe nuk lëshonte kupon tatimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë