Ka ndodhur

U kap në kamion me 17 kg heroinë, burg për shoferin 55-vjeçar

Drejtuesi i kamionit, të cilit iu sekuestruan 17 kg heroinë pak ditë më parë është lënë në burg. Gjykata e Durrësit ka dhënë këtë të mërkurë masën e sigurisë për 55-vjeçarin Sulo Pajo.

Lënda narkotike u sekuestrua në portin e Durrësit pas një hetimi dhe aksioni të nisur nga Policia e Shkodrës. Kamioni me targa shqiptare ishte nisur drejt Malit të Zi për t’u furnizuar me mall, për t’u kthyer më pas me destinacion Italinë përmes portit të Durrësit.

Por agjentët në doganën e Hanit të Hotit, nga informacionet dhe dyshimet që kishin, vendosën që ta ndalonin për kontroll me kolegët e portit të Durrësit.

Pajo i ka qëndruar versionit të tij se nuk ka pasur dijeni për drogën që i është gjetur në mjet. Sipas tij, ai kishte përgjegjësi vetëm për materialet që transportonte dhe jo për sasinë e heroinës që iu gjet e fshehur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë