Ka ndodhur

U kap me kokainë, lirohet nga burgu kandidati për deputet i ‘Nisma-Shqipëria Bëhet’

Gazeta Si – Kandidati për deputet i “Nisma-Shqipëria Bëhet”, Ergys Isufi, i cili u arrestua një ditë më parë në Sarandë nën dyshimin se kishte kokainë me vete, është liruar nga paraburgimi rreth orës 22:00 të datës 7 maj.

Deri më tani, policia nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me ndalimin e tij dhe nuk ka dhënë informacion nëse ndaj tij është ngritur ndonjë akuzë.

Që nga dita e djeshme, kandidati i Adratik Lapajt në listë të hapur për zgjedhjet parlamentare në qarkun e Vlorës, nuk do të jetë më pjesë e kësaj forcë.

Lapaj, drejtuesi i koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, njoftoi largimin e tij nga koalicioni, pasi kandidati i arrestuar nuk përfaqëson më subjektin politik.

Sipas burimeve, Isufit iu gjet një dozë kokainë, të cilën dyshohet ta kishte për përdorim vetjak.

Ai u ndalua nga Policia teksa udhëtonte në shoqërim me një person të mitur nga Saranda në drejtim të Borshit, ku do të zhvillohej një miting elektoral. Pas kësaj, Isufi ishte planifikuar të nisej për në Tiranë për të marrë pjesë në takimin përmbyllës të fushatës së “Nismës Shqipëria Bëhet”.

Gjatë kontrollit, Ergys Isufi ka tentuar të largohet, por është ndaluar dhe neutralizuar nga forcat e Policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë