Politike

U kallëzua nga Bardhi/ SPAK mbyll hetimet për “Xibrakën”: Nuk ekzistojnë prova që lidhin Olsi Ramën me aktivitetin kriminal

Nga Gazeta Si- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për procedimin penal për dosjen “Xibraka. Ky procedim lidhej me veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal.

Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e vëllait të kryeministrit Edi Rama, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. 

“Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës”, shkruhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

SPAK deklaron se nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Olsi Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. 

“Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë”, shkruan SPAK, duke shtuar se është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. 

Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë