Gazeta Si – Ajo që dukej si një vdekje aksidentale, duket se ka rënë si alibi, pasi 81-vjeçari Xhemal Meta, dyshohet se është vrarë.
Policia ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 13 janar, ku Meta u gjet pa shenja jete në oborrin e banesës së tij në Zall-Bastar të Tiranës.
Nga hetimet dhe ekzaminimi mjeko-ligjor, ka rezultuar se 81-vjeçari ka dëmtime në pjesën e pasme të kokës, të dyshuara se janë shkaktuar nga goditje me sende të forta. Për këtë arsye, janë referuar materialet në prokurori për veprën penale “Vrasje me dashje”.
Sipas burimeve, policia ka shoqëruar rreth 20 persona dhe po merren në pyetje për vrasjen e Xhelal Metës.
Hetuesit dyshojnë se i moshuari mund të ketë pasur ndonjë konflikt me banorë të zonës për punët e fshatit, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë goditur me qëllim për t’u vjedhur.
Gjithnjë sipas burimeve, atij nuk i është gjetur portofoli dhe disa sende të tjera që mbante me vete, megjithatë shtëpia është gjetur e paprekur.
Të pyetur për ngjarjen dhe dyshimet që mund të kenë, familjarët i thanë policisë se i moshuari nuk ka pasur konflikte me njeri dhe nuk dyshojnë tek asnjë prej personave që jetojnë në afërsi, pasi me ta kanë edhe lidhje gjaku.
Aty jetojnë vetëm 4 familje dhe janë pyetur të gjithë, por deklarojnë se nuk kanë asnjë dijeni për ngjarjen. Policia po kryen disa veprime me synim gjetjen e autorit.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake si dhe ekzaminimit mjeko-ligjor ka rezultuar se shtetasi Xh.M., ka dëmtime në pjesën e pasme të kokës, të dyshuara të shkaktuara nga goditje me sende të forta. Paraprakisht, në lidhje me këtë ngjarje nga ana e DVP Tiranë, janë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i kodit penal”, – njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.