Ngjarje

U gjet e braktisur në garazhin e një pallati në Yzberisht, vdes foshnja e sapolindur

Nga Gazeta Si – Foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë ka ndërruar jetë. Lajmin e ka dhënë Spitali Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, që ka njoftuar se foshnja e braktisur nuk ia doli dot.

Foshnja ndërroi jetë në orën 10:45 të kësaj të enjteje. Diagnoza klinike është Hipotermi e thellë, Politraumë, Hemorragji pulmonare, Insufiçience multiorganore dhe Arrest kardiorespirator.

Lajmi konfirmohet nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

“Sapo mora një lajm të trishtë nga Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” , i cili më njoftoi se foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë nuk ia doli dot edhe pse mjekët e spitalit bënë të gjitha përpjekjet. Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën që e braktisi pa na dhënë mundësinë ne të gjithëve, agjencive shtetërore, shoqërisë civile ta gjenim në kohë dhe të mund ta shpëtonim. Kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë”, shkruajn Balla.

Kujtojmë se fëmija ka mbërritur pa shenja jete në spital ditën e djeshme, e mbuluar me gjak e baltë dhe e gërvishtur në fytyrë dhe duar.

Aktualisht, nëna e tij, me iniciale E.I., ndodhet në spital nën masën e arrestit, për braktisjen e të birit. Me vdekjen e tij, pozitat e 30-vjeçares pritet të rëndohen. 

Ajo është një grua e moshës 30-vjeçare nga Pogradeci. Para grupit hetimor ajo ka thënë se veprimin e ka kryer pasi nuk e mbante dot dhe nuk kujdesej dot për djalin e saj të porsalindur.

Mes të tjerash, ajo ka deklaruar se i vinte turp që të lindë fëmijën në maternitet dhe më pas ta linte aty dhe si zgjidhje ka parë mundësinë për ta braktisur në garazhin e pallatit në Yzberisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë