Nga Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1 vit ish-kandidatin për deputet të LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Eltjon Joka. Ai u gjykua për akuzën e korrupsionit në zgjedhje.
Me 1 vit u dënua edhe Elis Babo. Të dy këta persona ishin filmuar duke dhënë para për të blerë votën. Eltjon Joka ishte personi që shpërndante paratë, ndërsa Babo kishte kryer filmimin dhe ju dhanë paratë nga Joka.
SPAK kërkoi dënimin me 1 vit burg për secilin prej tyre dhe gjykata pranoi këtë kërkesë.
Ndërkohë, ish-kandidati për deputet nëpërmjet avokatit të tij deklaroi në seancën ku u dha pretenca, se gjithçka ka qenë e stisur nga kundërshtarët e tij politikë, dhe ka përmendur emrin Alqi Bllakos, i cili është i arrestuar në kuadër të hetimeve për inceneratorët.
Avokati i Jokës paraqiti prova dhe fakte në lidhje me videon, telefonin që është bërë filmimi dhe se kujt i është dorëzuar ajo, prova që sipas tyre që lidhen me kundërshtarët e Jokës në zgjedhje, por që nuk u morën parasysh nga Gjykata e Posaçme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




