Objekte të ndërtuara përgjatë sistemit komunist si fabrikate, kombinatete, punishte dhe oxhaqe të mëdha apo ato të sigurimit të mbrojtjes fizike në rast lufte si bunkerët; kanë qenë tema e ekspozitës me titull U.F.O (Unidentified False Objects) të artistit Ardian Isufi dhe galerisë GOCAT, e hapur në ambientet e Galerisë së Arteve Bashkëkohore në katin e nëndheshëm të Piramidës së Tiranës. Instalacioni “Bunkeri kishë” (Bunker church) , oxhaku i përshatur në minare dhe objekte të tjera, të cilat sot e kanë humbur lavdinë e po ashtu dhe sensin e funksionimit të tyre, vijnë në këtë ekspozitë të elaboruara si raport i artistit me një realitet radikal.
Bunkeret kisha dhe oxhaqet minare, përshtatja e objekteve, domsdoshmëri për njeriun post-komunist
Të ndërtuara nga sistemi komunist në Shqipëri këto objekte madhore për kohën të cilat paraqisnin një qasje utopike të së tashmes dhe së ardhmes, kanë qenë shpesh edhe objekte studimore për fushat e ndryshme të shkencës. Ato vërenin në këto objekte mishërimin e një projekti madhor tashmë të pafunksion. Studimet kryesisht kishin orientim ekonomik, urbanistik dhe social duke dashur të hidhej më shumë dritë për funksionimin e një shteti me ekonomi tërësisht të centralizuar. Por këto objekte nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së artistëve. Këto masive të ngurta janë paraqitur nga artisti i arteve pamore Ardian Isufi jo vetëm si dëshmi e një kohe të shkuar, por dhe si një përshtatje e domosdoshme e tyre nga njeriu në shërbim të nevojave shpirtërore por edhe fizike.
Në hyrje të galerisë, në mesin e sallës së madhe paraqitet një bunker i shndërruar në kishë, i ndërtuar në shkallë reale me atë ekzistues. Instalacioni i titulluar “Bunker church” përveçse sjell origjinalitetin e objektit pa qenë nevoja e zhvendosjes gjeografike, na e paraqet atë dhe në monitor duke na dhënë pamjen reale të kishës që gjendet në fshatin Lin të Pogradecit. Po ashtu përballë bunkerit në një tjetër hapësirë, na paraqitet një oxhak i një ish-fabrike në Kavajë, i përshtatur në minare nga ku thërritet ezani çdo mëngjes. Gjithashtu bie në sy edhe paraqitja grafike e një oxhaku të madh të zhvendosur në mesin e Sheshit Nënë Tereza. Këtë përqasje konceptuale autori e titullon “Mitra” (Uterus). Ai shpjegon se "Mitra” është një ballafaqim i utopisë së sistemit komunist si një premtim i pambajtur i zhvendosur në një shesh të ndërtuar nga pushtimi fashist, si përballje mes dy projektesh politike të dështuara tashmë por që ndikuan jetët e miliona njerëzve.
"Hapësira publike si në Tiranë ashtu dhe në qytete të tjera shqiptare, prej dekadash përjeton një fenomen “pushtues”. Objekte të vogla në dukje të cilat rrethojnë dhe mbulojnë zonat publike ndikojnë në qasjen asfiksuese të lirive dhe të drejtave të komunitetit. Në këtë ekspozitë konceptuale, evolucionare në vendndodhje, përmbajtje dhe formë, duke përfshirë një kombinim të mediumeve si video, instalacion e ndërhyrje në hapësirë, “U.F.O.” kthehet në një rrugëtim artistik, ku natyra shëtitëse dhe performuese e veprave ka një matricë të dallueshme bashkëkohore", sqarohet në tekstin shpjegues të ekspozitës
U.F.O që përmbyll kalendarin artistik të vitit 2024 në Galerinë ‘GOCAT’ sipas kuratorit Elton Koritari - është dukshëm një qasje e zgjeruar në raport e dialog me shoqërinë, historinë, e kulturën, ku përballja e artistit me realitetin shqiptar, sado radikale dhe e drejtpërdrejtë, është njëkohësisht ndërvepruese me publikun, hapësirën e kohën. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në muajin shkurt 2025.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.