Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Antikorrupsion la në fuqi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ që kishte vendosur në mungesë ndaj Ado Xhika alias Aldo Cërriku alias Elkier Cërriku, ndaj Ervis Dakës dhe Maksim Koçit, të cilët u ekstraduan pak ditë më parë nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt vendit tonë.
Ervis Daka dhe Maksim Koçi dyshohen se kanë kryer veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, Daka ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Arjan Spahiut në Belgjikë, ndërsa në tentativën e vrasjes së shtetasit Kei Piu ai kishte rol informator mbi lëvizjet e këtij të fundit.
Ndërsa Maksim Koçi, dyshohet për vrasjen e dy personave si dhe për sigurim të kushteve për vrasjen e 2 të tjerëve. Ado Xhika akuzohet për përkrahje të autorit të krimit si pjesë e grupit kriminal, për eliminim e Ardian Çapjas, gjatë sulmit me snajper, të cilit mundi t’i mbijetojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.