Drejtësia

Lulzim Berisha mbetet në burg, akuzohet për 3 vrasje e 3 plagosje: Nuk e njoh Luftar Reçin!

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ja vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj ish-kreut të bandës së Durrësit Lulzim Berisha, i ekstraduar dy ditë më parë nga Spanja.

Pas ekstradimit nga Spanja 2 ditë më parë, Berisha doli sot në gjyq, ndërkohë që mbrojtjen ia bëri avokati i tij, i cili përmendi dhe të penduarin e drejtësië, Luftar Reçin.

Gjatë seancës, Berisha kundërshtoi akuzat e bazuara në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi.

“Nuk e njoh fare atë njeri, nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse më provoni një kontakt, më dënoni sa të doni. Njëlloj siç më ra akuza tjetër, njëlloj do të bjerë edhe kjo”, – tha ai.

Berisha akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana cilësuese”, kundër 2 ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ndaj tij rëndojnë akuza për ngjarje të ndodhura në vitet 2004-2005 me tre të vrarë e tre të plagosur. Fillimisht u shpall në kërkim në 2020-ën për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të vitit 2005, të cilët u zbardhën 15 vite më vonë.

Për vrasjen e Lames, fillimisht çështja u pushua për mungesë provash, ndërsa aktualisht ishte në kërkim vetëm për Klodian Saliun, i cili u vra në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj, teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”.

Ish-kreu i bandës së Durrësit u arrestua në dhjetor 2023 në Spanjë pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet e drejtësisë shqiptare. Ai mbante dokumente bullgare, ndërsa u prangos gjatë aksionit të koduar “Sant Joan”

Në vitin 2016 ai arriti të dilte nga burgu pa e mbyllur dënimin prej 25 vitesh, duke u liruar me kusht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës me pretendimet se kishte probleme shëndetësore.

Por, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e lirimit të tij me kusht për vrasjen e Klodian Saliut. Ai u ekzekutua në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”.

Anëtarët e bandës së Durrësit u dënuan për vepra të rënda penale si “vrasjes me paramendim” të kryer në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal” dhe “armëmbajtje pa leje të armëve të zjarrit”. 16 anëtarët e grupit u dënuan në total me 245 vjet burgim nga ish-Gjykata për Krimet e Rënda.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë