Gazeta Si – Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lënë ne fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Florenc Çapjen, i cili u ekstradua pak kohë më parë nga Dubai me dyshimin se është përfshirë në dosjen “Plumbi i Artë”.
Ndaj Çapjes rëndonte një masë sigurie në mungesë, për akuzën e “sigurimit të kushteve për vrasje”, në dëm të Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Përmes avokatit, Çapja ka pretenduar se nuk ka përdorur Sky ECC dhe se akuza ndaj tij është ngritur vetëm nga një deklarim i Nuredin Dumanit e Henrik Hoxhajt.
Në të njëjtën kohë, Florenc Çapja është dënuar me burg të përjetshëm si një nga porositësit e vrasjeve së Gentian e Nezir Beqirit në 2012 në Elbasan.
Autorët përdorën Etien Canin si personin për të hyrë brenda banesës, pasi ai ishte shok fëmijërie me viktimën. Vrasja dyshohet se u porosit për hakmarrje, pasi Gentian Beqiri akuzohej se ishte implikuar në ekzekutimin e Sokol Çapjas, në vitin 2005.
Për krimin e dyfishtë me burg përjetë është dënuar edhe Ardian Çapja dhe Olsi Leku, ndërsa Etjen Cani dhe Klajdi Dokoli u dënuan me nga 25 vite burg. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Ervis Bardhi u dënua me 15 vite burg.
Florenc Çapja jetonte prej 10 vitesh në emiratet e bashkuara arabe, më konkretisht në Dubai. Në vitin 2021 ai u arrestua me qëllim ekstradimin, por u la nën mbikëqyrjen policore.
Disa muaj më vonë ai fitoi tërësisht lirinë duke u pajisur dhe me leje qëndrimi. 44-vjeçari u shpall sërish në kërkim nga policia shqiptare të cilët kërkuan ekstradimin e tij në vendin tonë për t’u përballur me drejtësinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.