Ngjarje

U dogjën shtëpinë në Dukagjin, ekzekutohen babë e bir! Shkuan për të parë dëmet

Nga Gazeta ‘Si’-Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur në zonën e Dukagjinit në Shkodër. 

Viktimë kanë mbetur babë e bir, Gjoke Gurra, 57 vjeç dhe Eduart Gurra, 31 vjeç.

Nga informacionet policore bëhet me dije se mbrëmjen e së mërkurës,(28 qershor) shtëpisë së familjes Gurra në fshatin Sumë të Njësisë Administrative Pult i ishte vendosur zjarri nga persona të paidentifikuar.

Nga zjarrvënia nuk ishte lënduar asnjë person pasi aty nuk banonte askush.

Familja Gurra u njoftua për djegien e banesës dhe sot babë e bir, shkuan të shikonin shtëpinë e shkrumbuar.

Përpara shtëpisë së djegur, ata u ekzekutuan me armë zjarri nga persona të panjohur dhe mbetën të vdekur në vend. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë së Shkodrës, ndërsa po hetohet për të zbardhur shkaqet e këtij krimi si dhe për të identifikuar e zbuluar autorët.

Pista ku po heton policia:

Mësohet se pista kryesore ku po heton policia lidhur me vrasjen e dyfishtë është konkurrenca për shfrytëzimin e pyjeve për prerje, pasi 57-vjeçari Gjok Gura ish-efektiv policie është marrë dhe me biznesin e lëndëve drusore.

Gjokë Gurra ka punuar kryesisht me lëndë drusore për ngrohje dhe transportimin e tyre në Shkodër së bashku me të birin Eduartin, punë të cilën e bënin prej 15 vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë