Drejtësia

U dënua për korrupsion, Apeli i GJKKO kthen në burg ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burg ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, duke ndryshuar kështu vendimin e Shkallës së Parë.

Ish-prokurori u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për korrupsion në maj 2022, ku dënimi iu konvertua me 4 vite shërbim prove, duke çuar në lirimin e tij (në 2023-in), i cili gjithashtu u përjashtua për 5 vite nga funksionet publike.

Pas vendimit të kësaj të mërkure, Hasa duhet të shlyejë pjesën e mbetur të dënimit në qeli. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve.

Hasa dyshohet se mori ryshfet nga Elsona Papa, motra e shtetasit Emiljano Mirani, një personi që prokurori e kishte nën hetim, duke i pushuar më pas çështjen. Motër e vëlla u gjetën fajtor gjithashtu për korrupsion.

Sali Hasa, shënon edhe rastin e parë kur një prokuror u përball me procesin e Vettingut, ndërkohë që ndodhej me masë sigurie “arrest me burg”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë