Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila e dënoi me dy vite burg për fshehje të pasurisë.
Ankimimi u dorëzua të enjten dhe pritet të caktohet trupa gjykuese. Krahas dënimit me burg, gjykata vendosi edhe sekuestrimin e pasurive të tij, disa prona të patundshme, troje dhe apartamente.
Bëhet fjalë për 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrorë dhe 1 apartament në Durrës. Ish-kreu i organit të akuzës shqiptare u shpall fajtor për veprat penale “deklarim i rremë” dhe “fshehje pasurie”.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.
Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Procesi ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla u ndoq nga afër edhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.