Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli pas kërkesës së SPAK, pasi kanë kaluar të paktën dy javë që kur Gjykata e Apelit vendosi ta dënojë përfundimisht me 2 vite burg me akuzën për fshehje të pasurisë.
Dokumentacioni i është dorëzuar zyrës së Interpol Tiranës dhe brenda 12 orësh, emri i tij do të jetë në sistemin e personave të kërkuar në të gjitha agjencitë e huaja ligjzbatuese.
Pas pak orësh, pritet që në faqen Interpolit do të shfaqet jo vetëm identiteti, por edhe akuza për të cilën u dënua, mosha dhe detaje të tjera për Llallën.
Pasi policia nuk e gjeti në banesë, ish-zyrtari i lartë i drejtësisë shqiptare po kërkohet nga policitë lokale edhe pse është e ditur se ai ndodhet jashtë vendit.
LEXO EDHE:
Adriatik Llalla po harrohet me procedurë, i kërkuar veç me letra në Shqipëri, por jo jashtë vendit
Një ditë më parë, Policia e Shtetit në një shkresë drejtuar SPAK, bënte me dije se kishin kryer kërkimin e Llallës në çdo vend në Shqipëri dhe nuk e kanë gjetur. Në këtë mënyrë është hapur dhe rruga për shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar.
Sipas informacioneve dhe publikimeve në media nga sistemi TIMS, dyshohet se ish-kryeprokurori ndodhet jashtë vendit. Llalla është zyrtari i parë i lartë i drejtësisë që është dënuar në Shqipëri.
Më 22 shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit, e gjeti fajtor Llallën për veprën penale të “fshehje së pasurisë”. Ai u dënua me dy vite burg, ndërsa për 5 vite nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik. Po ashtu, gjykata i konfiskoi ish-Prokurorit të Përgjithshëm 22 mijë metra katror truall dhe një apartament në Durrës. Pavarësisht ankimimit të Llallës, Apeli la në fuqi vendimin në fjalë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.