Drejtësia

U dënua me burg përjetë për vrasjen e Dritan Lamajt, Kushtetuesja rihap çështjen e Arben Frrokut

Gazeta Si – Gjykata kushtetuese vendosi të rihapë për gjykim, procesin për Arben Frrokun, i dënuar më herët nga drejtësia për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në shkurt 2013.

Mësohet se Kushtetuesja e pranoi kërkesën e Frrokut për ta rihapur procesin dhe për këtë shfuqizoi një vendim të mëhershëm të vitit 2018 të shpallur ndaj të dyshuarit nga e njëjta gjykatë.

Aktualisht, Frroku ndodhet në burg në Holandë dhe kundërshton ekstradimin në Shqipëri, duke pretenduar se i rrezikohet jeta. Rigjykimi pritet të përcaktojë përfundimisht fajësinë ose pafajësinë e tij.

Arben Frroku, kishte kërkuar rihapje të procesit gjyqësor dhe shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve nr. 73, datë 29.06.2015 të ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Renda, nr. 443, ditë 08.06.2017 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Po ashtu, ai kishte kërkuar edhe Kthim të çështjes për rigjykim pranë gjykatës kompetente duke urdhëruar rigjykimin e saj me tjetër trup gjykues.

Frroku u shpall fajtor nga Gjykata e Lartë Shqiptare, e cila miratoi dënimin e ish-Apelit për Krime të Rënda, ndërsa Shkalla e Parë e kishte shpallur më herët të pafajshëm. Në nëntor 2025, Gjykata e Strasburgut rrëzoi vendimin e e dënimit me burg përjetë të Arben Frrokut.

Vendimi i Strasburgut

Në vendimin e tij, Strasburgu vlerësoi se në procesin gjyqësor ndaj Frrokut, evidentohen shkelje të të drejtave të tij dhe për këtë arsye, mbrojtjes i lind e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për rigjykim të çështjes.

Frroku iu drejtua Gjykatës së Strasburgut, pasi ankimi i tij iu rrëzua edhe në Gjykatën e Lartë më 8 qershor 2017, si edhe në Gjykatën Kushtetuese më 24 prill 2018, duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë. 

Vendimi i Strasburgut, nuk përcakton fajësinë apo pafajësinë e Arben Frrokut për vrasjen e kryekomisarit, por detyron gjyqësorin shqiptar, të rigjykojnë çështjen për shkak të pretendimeve të mbrojtjes për shkelje.

Dy vite pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, Gjykata e Shkallës së Parë e ish-Krimeve të Rënda, e shpalli të pafajshëm Arben Frrokun.

Në qershor të 2015, vetëm pak muaj pas këtij vendimi, Prokuroria këmbënguli në fajësinë e Frrokut, duke apeluar vendimin e pafajësisë.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe e dënoi me burgim të përjetshëm Frrokun.

Arratisja

Vetëm dy ditë para këtij vendimi, Arben Frroku u arratis nga Shqipëria nëpërmjet Malit të Zi, duke i shpëtuar arrestimit nga policia.

Më 6 mars 2016, ai u arrestua në Holandë, ku qëndronte i fshehur me një pasaportë greke të falsifikuar, me identitetin e Renato Tsepa.

Fillimisht u ndalua për falsifikim dokumentesh, por pas verifikimeve dhe shkëmbimit të informacioneve me Shqipërinë, rezultoi se ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e kryekomisarit Lamaj.

Frroku kundërshtoi ekstradimin në Shqipëri, duke argumentuar se ndaj tij ishte zhvilluar një proces i padrejtë dhe se jeta e tij ishte në rrezik.

Në janar të vitit 2020, mediat holandeze do të raportonin se Frrokut iu ul dënimi në 18 vite, pasi gjykata e vendit europian i njohu atij edhe ditët e burgut që ka kryer në Shqipëri dhe Greqi. Pas refuzimit të ekstradimit, autoritetet shqiptare kërkuan që dënimi të zbatohet në Holandë.

Vrasja e komisarit Lamaj

Dritan Lamaj, ish-shefi i komisariatit nr 6 në Tiranë, u ekzekua në vitin 2013 në zonën e “Vasil Shantos” , ku dy persona i kanë bërë pritë.

Ai po shkonte me automjetin e tij drejt banesës dhe në mometin që ka zbritur nga makina është qëlluar me breshëri kallashnikovi. 

I akuzuar për vrasjen e Lamajt, Arben Frroku u arrestua më 25 shkurt 2013 në Greqi, së bashku me shtetasin Jak Jaku.

Arben Frroku është vëllai i ish-deputetit, Mark Frroku, i liruar nga burgu në maj të vitit 2018 i dënuar për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë