Drejtësia

U dënua me 5 vite burg për armë dhe drogë, por Ragip Gila u lirua para kohe nga Gjykata e Shkodrës

Gazeta Si – Hallkat e drejtësisë në Shkodër duket se kanë lehtësuar dënimin e autorit të masakrës së kësaj të hëne, 8 shtator në Shkodër, Ragip Gila, i cili vetëm pak kohë pasi ishte liruar nga burgu për akuza penale të rënda.

I riu nga Shkodra në vitin 2023 u arrestua, pasi policia zbuloi në banesën e tij një arsenal armësh, municion, jelekë antiplumb dhe sasi droge.

Në një vendim të Gjykatës së Shkodrës, thuhet se Ragip Gila ka qenë i dënuar me 5 vjet burg për prodhim dhe shitje të narkotikëve, por i është ulur në 3 vjet e 4 muaj burg dhe më 4 mars të këtij viti, gjykata ka pezulluar ekzekutimin e dënimit me burg, duke e liruar me kusht, që për 5 vite të mos bëjë asnjë vepër penale dhe me shërbim prove.

Në banesën ku jetonte Gila, iu gjetën sende që ka dyshime se përdoreshin për qëllime kriminale, përfshirë 7 jelekë anti-plumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Ai u dënua me 5 vite, por përfitoi zbritjen me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar vetëm për lëndë narkotike.

Ende nuk dihet pse në vendimin e dënimit të tij nuk janë përllogaritur edhe veprat e tjera penale.

Kështu, Gila nuk ka vuajtur as 1.5 vite të plota dënim për një vepër penale që parashikohej 5-15 vite.

Në dhjetor 2023, Gila u kap në flagrancë me:

jelekë antiplumb, maska dhe paruke,

armë gjahu dhe municion luftarak,

si dhe sasi lëndësh narkotike.

Për këto, ai u procedua për veprat penale:

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” (parashikon 5 deri në 15 vjet burg),

“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” (5 deri në 15 vjet burg), si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë