Drejtësia

U dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë, Ervin Salianji kërkon lirinë me kusht

Gazeta Si – Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka depozituar kërkesën për lirimin me kusht pranë institucioneve përkatëse, pasi ka ezauruar dy të tretat e dënimit me burg.

Salianji ndodhet në burgun e Fierit që prej tetorit të vitit 2024, ku po vuan dënimin me 1 vit burg për kallëzim të rremë me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për çështjen e njohur si “Babale”

Me përmbushjen e pjesës më të madhe të dënimit, Salianji synon të përfitojë nga lirimi me kusht, një e drejtë që parashikohet nga Kodi Penal për të dënuarit që plotësojnë kriteret ligjore dhe sjellje të mirë gjatë vuajtjes së dënimit. Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesën në ditët në vijim.

Kjo është e disata tentativë e Salianjit për lirimin e tij, teksa në mars të këtij viti, Apeli i rrëzoi rekursin e demokratit, i cili kërkonte rrëzimin e vendimit të 27 shtatorit 2024 dhe fitimin e lirisë.

Salianji është shprehur më herët se nuk do të ndalet për të fituar drejtësinë e tij, e se çështjen do e ezaurojë në çdo shkallë të drejtësisë, e deri në Gjykatën e Stasburgut.

Në pranverën e vitit 2018, deputeti i PD, Salianji ë doli në një deklaratë për mediat dhe publikoi një audio-përgjim.

Salianji pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge.

Sipas audio-përgjimit, vëllai i Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj komunikonte me një ish-trafikant, Albert Veliun, me pseudonimin Babalja.

Më 18 dhjetor 2019, Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës dha vendimin për dosjen “Babale”. Fredi Alizoti u dënua me 2 vite burgim, ndërsa Ervin Salianji u dënua me një vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë.

Gjithashtu u dënua me 3 vite e 6 muaj burg Albert Veliu. Salianji e kundërshtoi këtë vendim dhe e ankimoi në Gjykatën e Apelit.

Për më shumë se dy vite, dosja u zvarrit dhe pas mungesave të shumta të avokatëve, në tetor të viit të kaluar u dha vendimi përfundimtar. Ervin Salianji u dënua me një vit burg për kallëzim të rremë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë