Gazeta Si – Ish-zv.drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Daniel Shima, është kthyer gjatë natës në banesë, pasi u denoncua i zhdukur nga familjarët.
Siç bën me dije policia, ish-zv/drejtori i AKSHI-t, është kthyer në banesë gjatë orëve të natës, 21 gusht.
“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për kallëzimin e shtetases M. Sh, për humbjen e kontakteve me djalin e tij, shtetasin D. Sh., 34 vjeç, bëjmë me dije se rreth orës 02:00, ky shtetas është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Burime paraprake, pohojnë se nëna e Shimës është lajmëruar fillimisht nga një vajzë me të cilën 34-vjeçari është në një marrëdhënie dhe që dyshohet se ka pasur një konflikt me të.
E reja i ka treguar nënës së Shimës se rreth orës 13:30, Danieli i ka dërguar një mesazh në telefon, ku i shkruan: “Po më arreston policia”.
Për këtë arsye, e dashura e ish-zv/drejtorit të AKSHI-t fillimisht ka telefonuar policinë dhe, pasi ka mësuar se Danieli nuk rezultonte i arrestuar apo i shoqëruar, ka vënë në dijeni familjarët.
Nëna e tij, në polici gjatë denoncimit, ka pohuar se Shima paradite ka qenë te shtëpia e gjyshërve të tij në zonën e Qytetit Studenti, kohë që përkon edhe me mesazhin që i kishte dërguar të dashurës.
Megjithatë, ai nuk ka ofruar shpjegime të mëtejshme lidhur me mesazhin që i kishte dërguar familjes, ku pretendonte se po arrestohej nga policia.
Shima ka qenë ish-zv/ drejtor i AKSHI-t, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, një ndër zyrtarët më të lartë të kësaj agjencie, direkt pas drejtueses Mirlinda Karçanaj.
Ai u largua nga detyra në vitin 2024. Shkarkimi i tij ndodhi pikërisht ditën kur shefja e tij, Mirlinda Karçanaj, u thirr nga SPAK për t’u marrë në pyetje.
Drejtuesja e agjencisë më të rëndësishme për menaxhimin dhe zhvillimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit në institucionet shtetërore shqiptare, u mor në pyetje për disa orë më 19 mars 2024 dhe, menjëherë pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, u kthye në zyrë ku firmosi shkarkimin e Shimës.
Gjatë kohës që mbante funksion publik, ndaj Shimës u bënë akuza për abuzime dhe vjedhje tenderash në AKSHI.
Më herët ishte raportuar se ai ishte vënë nën mbrojtjen e Gardës së Republikës. Si zyrtar i lartë, ai përfitonte mbrojtje të posaçme, bazuar në vlerësimet e Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit për rrezikun dhe seriozitetin e situatës, sipas parashikimeve ligjore.
Megjithatë, nuk u bë asnjëherë publik nëse Shima kishte marrë kërcënime të drejtpërdrejta apo pse jeta e tij konsiderohej e rrezikuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



