Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat pretendoi se Daniel Shima, ish-zëvendës drejtori i AKSHI-t i cili humbi kontaktet me familjen për rreth 10 orë ditën e djeshme, u rrëmbye.
Berisha tha se Shima, u zhduk në rrethana misterioze dhe më pas ka arritur të dërgojë një mesazh SOS partneres së tij ku shkruante: “Po më arrestojnë”.
Sipas Berishës, ky sinjal tregon përfshirjen e strukturave të uniformuara, qofshin ato policore apo “banditë me uniformë shteti”.
Ai akuzoi autoritetet për heshtje të qëllimshme për disa orë dhe ngriti dyshime të forta mbi vendndodhjen e Shimës gjatë kësaj kohe, duke aluduar për një rrëmbim me prapavijë politike apo kriminale.
“Ky person i shkarkuar në mënyrë brutale para një viti nga Mirlinda Karçanaj, i zhdukur nga radarët, i përfolur në kohën e shkarkimit, na shfaqet dje me një SOS. ‘Po më arrestojnë’! Në ora 1.30 minuta, sipas burimeve shumë të afërta me policinë, Shima i dërgon mesazh bashkëjetueses a partneres së tij: Po më arrestojnë.
Natyrisht një mesazh i tillë, që shpreh kërcënimin me një rrezik të madh arrestimi, nënkupton jashtë çdo dyshimi angazhimin direkt të uniformave të shtetit ose të banditëve të shtetit të veshur me uniformë. Po më arrestojnë. Por nga ora 13:30 që Daniel i dërgoi mesazhin partneres, gjer në orën 5 pasdite, gjithçka u mbulua me kodin e heshtjes, gjersa më në fund nëna e tij denoncoi në polici zhdukjen e djalit dhe mediat u informuan”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
Sipas tij, fakti që u mbajt kjo heshtje prej 3 orësh dëshmon se policia, ishte jashtë loje.
“Është e vështirë të besosh në komunikatat e policisë, të cilat njëherë thonë se u nis drejt Qytetit Studenti dhe na u zhduk gjurma. Po të gjithë shqiptarët e dinë se mbi Qytetin Studenti është Surreli. Po vazhdove pak më sipër, del në Surrel. Kjo është e vërteta. Dhe pastaj thonë se e pikasëm kur kaloi tunelin në Elbasan. Pra, përfundoi Shima në bodrumet e Suel Çelës apo në tunelet e Dajtit të Surrelit, këtë të vërtetë nuk mund ta themi me siguri. Por një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye. Dhe se ai shpëtoi i gjallë falë atij instinkti që e shtyu t’i bënte një mesazh, një SOS, partneres së tij.
Përndryshe do kishim skena si ajo e Jan Prengës ose zhdukje si ajo e Ervis Martinit që nuk gjindet edhe sot e kësaj dite pa nam dhe nishan”, shtoi kreu i opozitës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



