Nga Gazeta Si- Pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama për largimin e drejtorëve të Bashkive në disa qarqe dhe kryetarëve të Njësive Administrative në vend, kanë filluar sot edhe lëvizjet e para.
Në qarkun e Elbasanit, drejtuesit e Njësive Administrative si dhe përgjegjësit e disa funksioneve firmosën dorëheqjet pas një mbledhjeje të mbajtur në bashkinë e Elbasanit.
Janë 18 administratorë, 12 fshat dhe 6 në qytet. Gjithashtu në Bashkinë e Elbasanit janë dorëhequr dy drejtorë te shërbimeve publike dhe përgjegjësit në varësi te tyre.
Në Kukës, 14 drejtuesit e Njësive Administrative të këtij qarku, u shkarkuan bashkë me dy nënkryetarët e bashkisë Agron Nuredinaj dhe Vladimir Spahiu.
Ndërsa në Korçë, 6 kryetarët e Njësive Administrative në varësi të kësaj bashkie, kanë dorëzuar dorëheqjet pranë kryebashkiakut Sotiraq Filo.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, zhvilloi një takim me drejtorët e Bashkisë Lushnjë, në ambjentet e këtij institucioni.
Si drejtuese politike e qarkut Fier, duke marrë për bazë ultimatumin e kreut të qeverisë, Edi Rama, për reformimin dhe rritjen e performancës së pushteti vendor në vend, Balluku u ka kërkuar dorëheqjen 13 drejtorëve të kësaj bashkie
Pasditen e kësaj të hëne, të gjithë administratorët e njësive administrative në Bashkinë Shkodër kanë paraqitur dorëheqjen nga pozicionet e tyre pranë institucionit të Bashkisë.
Kreu i qeverisë ka urdhëruar “pastrim” të stafit të administratës dhe ristrukturim duke u hapur rrugë emërimeve të reja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




