Gazeta Si – Marin Leka, i cili u arrestua të hënën nga Policia e Lushnjës teksa tentonte të blinte vota në favor të një subjekti politik pjesëmarrës në zgjedhjet e 11 Majit, do hetohet nga SPAK.
Prokuroria e Fierit ka kaluar në kompetencën e Prokurrorisë së Posaçme dosjen penale ndaj 38-vjeçarit nga Lushnja, i arrestuar nën dyshimet për përfshirje në korrupsion zgjedhor.
Hetimet ndaj tij nisën pas një denoncimi të bërë nga Muharrem Toska, i cili deklaroi në polici se Leka i kishte ofruar një shumë prej 50 mijë lekësh të rinj (rreth 500 euro), në këmbim të votës së tij dhe të familjes së tij për një subjekt politik në zgjedhjet e 11 Majit.
Sipas dëshmisë së Toska, për të garantuar votën, Leka i kishte kërkuar kartën e identitetit, të cilën ai fillimisht ia kishte dorëzuar, por më pas ishte penduar dhe kishte vendosur të denonconte ngjarjen në komisariat.
Në bashkëpunim me prokurorinë e Fierit, policia e Lushnjës ndërhyri në banesën e Lekës, ku gjatë kontrollit u gjet karta e identitetit e qytetarit denoncues.
Si rezultat, Leka u arrestua dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “marrje dhe përdorim i paligjshëm i dokumentit të identifikimit” – vepra penale që parashikojnë nga 1 deri në 5 vite burg secila, nëse ai shpallet fajtor.
Për shkak të natyrës së veprës, e cila lidhet me krime zgjedhore, çështja u delegua menjëherë te Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që ka kompetencë të drejtpërdrejtë mbi hetimet e këtij lloji.
Sipas burimeve paraprake, subjekti politik për të cilin Leka synonte të siguronte votën është Partia Demokratike, e cila në një reagim zyrtar mohoi të jetë e përfshirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.